E hënë, 1 Mars, 2021
11 C
Tirana

30 vite pas rrëzimit të “bustit të djallëzores”/ Pasojat e mendjes së robëruar

Nga: Agim Baçi

Pa dyshim që ndikimi më negativ i asaj të shkuare nën pesëdhjetë vite diktature djallëzore është të kuptuarit e lirisë dhe të pranuarit të “tjetrit” si individ – dy institucione që ai sistem i kishte asgjësuar, pasi njeriu i asaj kohe ishte thjesht një numër, një matrikull shifror dhe për të përgjigjej sekretari i Partisë dhe Këshilli Popullor. Këta të fundit kujdeseshin për shkatërrimin e çdo vetie njerëzore përmes “njeriut të ri socialist”, që u rrit pa besim në Zot dhe pa konceptin e pronës dhe të së drejtës.

Në fakt, ligësia dhe mediokriteti që mbolli ajo kohë vijoi të mbante në këmbë një gjeneratë të re të keqkuptuar me lirinë. Madje, në këto tridhjetë vite shumë nga ata që u rritën “nën frymën e partisë” vijuan të kujtojnë jo pak herë, me mallëngjim, shkollat dhe artet e asaj kohe, edhe pse të tilla fusha u zhvilluan nga ai sistem me qëllimin e vetëm që, përmes tyre, të mbillej fara e njeriut pa format, pa koncepte të lirisë, pa raport me pronën, e sidomos pa raport me Besimin në Zot. Domethënë, një lloj majmuni tipik, që imiton e bindet, por që vetë nuk mendon.

Shumica e atyre që njiheshin apo u emëruan si elitë deri në vitin 1990 nga ai rregjim, pra që kishin shumicën e titujve shkencorë dhe drejtimin e jetës kulturore, natyrisht që nuk u shndërruan dot brenda natës në njerëz që mund të admironin lirinë e aq më shumë, ta praktikonin atë. Kush e kujton 20 Shkurtin e 30 viteve më parë, do të kuptojë se, pavarësisht shumë ngjarjeve që kishin ndodhur në disa vende, sidomos në Rumani, sërish ishte shumë frikë. Kjo për faktin se nostalgjikët – ata të cilët sistemi i kish formatuar në modelin vrastar- ishin gati të bënin krimet që u kërkoheshin në emër të mbrojtjes së sistemit duke mos dashur e besuar se ai po rrëzohej.

Dhe ne kemi dëshmitë e botuara, që në kufi janë kryer vrasje makabre edhe pasi kishin ndodhur ngjarjet e hyrjes në ambasada apo Lëvizja e Dhjetorit ’90, ku ishte më se e qartë se nuk do kish kthim pas në atë sistem. Ashtu siç kemi edhe dëshminë e sapobotuar nga ish kreu i Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit, AgronTufa, i cili publikoi një letër të Marsit ’91, plot mllef e urrjetje, të ish Ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës çnjerëzore, Gramoz Ruçit, që sot drejton pa asnjë pendesë publike atë që duhet të ishte “Tempulli i demokracisë”- Parlamentin Shqiptar.

Edhe më pas, mungesa e dekomunistizimit, mungesa e muzeve të hapura për krimet në diktaturë apo mosndryshimi i teksteve të historisë, i rilanë hapësirën nostalgjikëve të kohës së diktaturës, të cilët jo pak herë fajësuan demokracinë për mosecjen në rrugën e duhur të shoqërisë shqiptare. Dhe në mënyrë gati krimiale u kërkuan të harroheshin dëshmitë kur shqiptari që mendonte ndryshe vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me uri, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me zhveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhur për shtylle.

Lexo edhe :   Shqipëria, vila që fiton

Gjyqet e munguara ndaj atij sistemi, ose më saktë, mungesa e një studimi për madhësinë e së keqes që kish mbjellë ai sistem, bënë që në shoqërinë shqiptare të rikthehej gjatë këtyre viteve tranzicioni ridiskutimi për “të mirat dhe të këqijat e komunizmit”, të cilat, shpesh, marrin formën e talljes së hapur me shqiptarët, si ajo e tipit të rrëfimeve të ish gruas së diktatorit dhe shumë ish udhëheqësve në atë diktaturë, që tregonin histori dashurie edhe pse në kohën e diktaturës u vranë dhe u dhunuan më sumë shqiptarë se ç’ishin vrarë e dhunuar nga gjithë pushtuesit bashkë.

Natyrisht, ne duhet të pranojmë se, në vitin 1990 përfunduam me një elitë si Muho Asllani, Lenka Çuko e Haxhi Lleshi, e mjaft të tjerë si ata, të cilët në jetën e tyre, përveç tundjes së kokës ndaj vendimeve të Enverit, përveç duartrokitjeve për pushkatimet e internimet që kryheshin perms ish-sigurimit, nuk do mbahen mend për asgjë tjetër. Ata mbeten në vazhdimësinë e kënetës të së keqes.

Lexo edhe :   Kryeministri si shef pavijoni

Çesllav Milosz, nobelist dhe antikomunist lituanezo-polak, që ka shkruar një nga rrëfimet më interesante për devijimin njerëzor nën udhëheqjen komuniste, ku kish kaluar edhe vetë disa vite, e quante “mendja e robëruar” mendjen e prodhuar nga autocensura që pësojnë njerëzit nën një diktaturë. Një autocensurë që e ndjejmë edhe sot kur flitet pak për gjërat që duhet të thuhen me zë të lartë për të vërtetat e shoqërisë. Dhe në fakt, të gjitha llojet e diktaturave, kanë armën më të fortë autocensurën, atë frikën e njeriut për t’u dalë përballë të vërtetave. Ajo që Milosz e ka thënë për shoqërinë polake dhe për shumë shoqëri të tjera që ishin nën diktaturat komuniste, natyrisht që për Shqipërinë vlen me disa marshe më të larta se në ish-vendet e tjera komuniste në Europë.

E megjithatë, shumica e atyre shoqërive që kaluan system të ngjashëm me Shqipërinë arritën të pohojnë me zë të lartë humbjen e vetvetes gjatë diktaturave që kaluan duke zgjidhur kështu edhe mjaft nga enigmat e deformimit të njeriut. Ndërsa ne, si shoqëri, nuk bëmë asgjë më shumë se sa struci, që fsheh kokën para të së vërtetës. E tashmë, shkelmat e mungesës së guximit për të vërtetën, e mungesës së guximit për të pohuar atë regjim antihuman, vijojmë t’i ndjejmë në përditshmërinë tonë. E do t’i ndiejmë për aq kohë sa nuk do guxojmë të pranojmë të vërtetën e asaj që ndodhi me qytetarët e këtij vendi.

Ne kemi nevojë për një gjyq për ato kohë të errët të shoqërisë shqiptare! Nuk është kurrë vonë për të kërkuar të vërtetën dhe për ta shfaqur atë me të gjitha ngjyrat, sado e rendë të jetë, pasi vetëm pasi të pranojmë pasojat që na ka lënë ai rregjim dehuman, do mund të shohim njeri-tjetirn në sy, e, dashtë Zoti, edhe të kemi procesin e Faljes dhe Pendimit- dy shina që mund të shënojnë fillimin e shërimit të një shoqërie nga e keqja me të cilën ka bashkëjetuar!

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Kosova në pritje të konfirmimit nga COVAX për marrjen e vaksinave

Ministria në detyrë e Shëndetësisë në Kosovë tha se është në pritje të “konfirmimit final” nga COVAX për marrjen e dozave të para të...

Ukraina hedh në plehra vaksinat anti-covid, mjekët refuzuan t’i marrin

Ukrania ka hedhur poshtë disa doza vaksina anti-covid pasi mjekët kanë refuzuar që t’i marrin. Në lidhje me këtë ka folur edhe kreu i Partisë...

A mund ta kishin pushtuar dot britanikët Bashkimin Sovjetik?

Më 2 shtator 1945, presidenti amerikan Herri Truman, shpalli fundin e Lufës së Dytë Botërore. Me dorëzimin e Japonisë, bota mund të merrte frymë...

Takimet në Bruksel, Rama: Vlerësime shumë të mira për Shqipërinë

Kryeminstri Edi Rama e cilësoi si një ditë pozitive dhe produktive vizitën e tij në Bruksel ditën e sotme. Edhe pse në momente të vështira...

E bujshme nga Italia, PSG nis bisedimet për Elseid Hysajn

Një lajm i bujshëm ka qarkulluar së fundmi në mediat italiane. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, i cili mund të...