Mbështetja që qeveria ka dhënë për pandeminë rezulton të jetë 4.5 herë më pak se mesatarja e vendeve të rajonit.
Sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi nivelin e mbështetjes financiare për pandeminë, Shqipëria renditet e fundit në rajon për ndihmën e dhënë dhe në hartën e botës vendi ynë është me të njëjtën ngjyrë me shtetet afrikane.
Nga vendet e rajonit Shqipëria ka mbetur në nivelin 1.2% të Prodhimit të brendshëm Bruto për sa i përket ndihmës për situatën e shkaktuar nga pandemia. Rezulton se vendet e tjera të rajonit si Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë dhënë mbështetje më të madhe për pandeminë.
Me Kosovën diferenca është mjaft e madhe pasi, shteti tjetër shqipfolës sipas FMN ka adresuar për pandeminë plot 5,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Dy vendet kanë pasur të njëjtën qasje me 0.2 për qind të PBB si financim direkt për sektorin e shëndetësisë për të luftuar pandeminë, ndërkohë që diferencën e ka bërë mbështetja për sektorin jo shëndetësor.
Për të përballuar krizën e shkaktuar nga Covid, Kosova ka mbështetur familjet dhe bizneset me plot 5,4% te prodhimit kombëtar, ndërsa Shqipëria me vetëm 0.9% te PBB.