Drejtori i Urgjencës Kombëtare në QSUT, Skënder Brataj, tha se gjatë këtij muaji ka pasur një shtim infektimesh.
Sipas tij, kjo lidhet me festat e dhjetorit dhe grumbullimin e shumë njerëzve gjatë ditëve të fundit të vitit 2020.
Në ”News 24”, Brataj tregoi se të gjithë indikatorët e deritanishëm nuk mund të na dërgojnë drejt nënshtrimit të vendit në masa strikte.
“Është vënë re një rritje e infeksionit për shumë arsye. Në këtë moment thamë jemi pas festave të fundvitit. Me gjithë masat që u morën me kufizimin e orarit, në ditën e festave njerëzit janë në shtëpi dhe nuk mund të hymë në banesë. Pushimet, mbyllja e shkollave, të gjitha këto mbledhin njerëzit dhe ndikojnë. Lagështira ndikon.
Tani që ka filluar është në favor të virusit. Me këto temperatura mund të kemi një rritje të numrit. Masat u lanë në fuqi deri më 1 shkurt për të bërë analizat. Pra pati një efekt pas festave. Nga 15 deri më tani do të bëhen analizat për të parë evidencën e infeksionit. Deri më tani jemi në monitorim dhe jemi brenda indikatorëve që nuk kemi nevojë për masa shtesë. Kjo do të parashikohen hap pas hapi”, tha Brataj.