Institucioni i Policisë së Shetit ka thyer heshtjen, prej më shumë se 24 orësh nga vrasja e 25-vjeçarit, Klodjan Rasha, nga efektivi i ‘Shqiponjave’.
Policia e Shtetit, me anë të një postimi në rrjetet sociale i ka shprehur ngushëllime familjes, teksa shkruan se po analizojnë në mënyrë intensive të gjithë shkaqet, veprimet, mosveprimet apo faktorë të tjerë që çuan në incidentin fatal.
Ndër të tjera, policia bën të ditur se garanton qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari.
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT
Në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, të prekur nga ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Tiranë, e cila përfundoi me vrasjen tragjike të të riut Klodjan Rasha, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, të afërmve dhe qytetarëve të lënduar nga ky akt.
Pas ngjarjes së ndodhur, krahas hetimeve të nisura nga organet e pavarura, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit po analizojnë në mënyrë intensive të gjithë shkaqet, veprimet, mosveprimet apo faktorë të tjerë që çuan në incidentin fatal.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari.