E shtunë, 23 Janar, 2021
10 C
Tirana

Kur policia shndërrohet në instrument dhune

Nga: Agron Gjekmarkaj

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha në Laprakë, natën e 8 dhjetorit nga Policia, është një tregues sesi Policia e Shtetit po shndërrohet në instrument dhune. Mënyra sesi po menaxhohet zbardhja e ngjarjes nga organet shtetërore është tregues sesi secili prej nesh mund të ikë këso bote për “fajin e vet”.

Të kesh fatin e Klodianit të gjorë, duket si mundësi për të gjithë. Secili prej nesh mund të vdesë me dy hurma në dorë, të cilat mund të interpretohen si armë bërthamore. Qeveria po e trajton gati si një aksident rrugor. Policia ka vrarë pa shkak një qytetar të pafajshëm për asgjë. Edhe sikur i fajshëm të ishte, nuk të vret Policia (ajo e bën atë vetëm si mbrojtje ekstreme), por është Gjykata që jep vendim, megjithëse në vendin tonë s’ka më dënim me vdekje.

Te të gjitha regjimet, para se ta çonin vetëgjyqësinë tek uniforma, vrasjet (ekzekutimet) më parë kanë eksperimentuar dhunën verbale, racore, politike, gjinore e të tjerë. Gjuha e përdorur ka trimëruar në çdo kohë e shtet skalionet ideologjike në strukturat shtetërore, i ka frymëzuar ato për çdo reagim. Mjafton të kujtosh diskursin e Kryeministrit e në veçanti atë të ministrit të Brendshëm, të cilët të dy bashkë e veç e veç tentojnë të tkurrin çdo reagim qytetar për të mbrojtur pushtetin e tyre.

Asnjë ministër i Brendshëm nuk është shfaqur kaq përçarës sa ky aktuali. Askush sa ky s’ua ka shkelur syrin instinkteve shtazarake të dhunës, me fjalë e akte siç ishte tendenca për ligjin e Policisë, ku çdo komisar rajonal mund të vinte nën përgjim këdo. Gjatë protestave të vitit të kaluar, habiti edhe vetë Edi Ramën për zellin duke kërcënuar opozitën, mbështetësit e saj dhe, mbi të gjitha, përndjekur duke i gjuajtur gaz lotsjellës te këmbët në mënyrë të shënjestruar liderit të saj si ky i tanishmi. Askush si ky nuk ishte shfaqur skuqur si skaldabanjo në çdo qoshe nga urrejtja dhe gjuha si teneqe mbushur me helm ndaj gjysmës tjetër të vendit që nuk i bënte hosana “Rilindjes”, e cila e mori me qira.

Kjo situatë “trimërimi” mua dhe Mark Markun na kthen shpesh në prillin e vitit 2013, kur Gjenerali u hoq nga detyra. Na qe dhimbsur, na u duk një padrejtësi dhe rrinim dy herë në ditë me të e mbanim me gajret, por atij i ishte mbushur mendja se persekutimi ndaj tij nuk ndalej me kaq, po edhe e përgjonin këmba-këmbës. Shpesh, Marku me pyeste “si dreqin është bërë Gjeneral ky me gjithë këtë frikë”. Tani ky do t’ua bëjë tetë me dy shqiptarëve.

“Te çdo polic do shihni fytyrën time”, pat thënë me epifani e emfazë, teksa merrte detyrën, e cila i dukej e përjetshme. Te polici që vrau Klodian Rashën se desh t’i ikte një gjobe 30 mijë lekë të vjetër, cilën fytyrë të shohim se nëpër natë fytyra nuk dallohet qelibar? Kryepolici Ardi Veliu, i cili, me krenari, para Komisionit Parlamentar të Sigurisë nxirrte një video “biografike” për të diskretituar një zonjë,djali adoleshent i së cilës u dhunua nga Policia te Kodrat e Liqenit, u mbrojt me vendosmëri nga Edi Rama, në sfidë të plotë me opinionin publik. Sepse atij i duhet një Polici e vetja për zgjedhjet, me një ministër e kryepolic që nuk durojnë njëri-tjetrin, por bëjnë garë si të mbijetojnë me shërbime pranë Ramës. Situatë ideale përdorimi.

E kemi parë shumë herë të keqpërdorur Policinë e Shtetit në këto dekada, po asnjëherë në shërbim të trilleve mafioze, siç ishte shembja e Teatrit Kombëtar, asaj plage që ende kullon, ku çizmja e policit politik shkelte mbi koka studentësh apo gazetarësh, siç ishte rasti i Alfred Lelës. Secili prej nesh e di që në Policinë e Shtetit ka njerëz të nderuar e profesionistë, por gjithnjë e më tepër po bindemi që segmente të rëndësishme të saj po shndërrohen në instrumente të çmendura dhune.

“Lideri i vetmuar”, siç vetëthirret me përkëdheli narciste Kryeministri, qysh kur u ul në kolltukun e pushtetit mendoi ta edukonte këtë popull nëpërmjet dhunës policore, e cila po e shfaq fizionominë e saj më qartë gjatë kësaj stine elektorale. Klodian Rasha gaboi; thonë që për t’i shpëtuar një gjobe, meqenëse ishte pa maskë, vrapoi. Mund të ndalonte, mbase mund ta rrihnin, ta dhunonin, t’i thyenin ndonjë brinjë a nofull por do t’ia falnin jetën. Por jo, nuk ia falen vrapin, këtu s’të falin ata. Po vrapove, i ri apo i vjetër, me maskë apo jo, të gjuajnë të vrasin. Ditën për diell mbi gjysma e Tiranës është pa maska, policë, zyrtarë, kriminelë, para të cilëve OFL duket si kameriere, ndërsa në dy të natës Klodiani pa maskë ishte rrezik global për shëndetin publik dhe Policia buzëqesh qashtër, po, ama, me qytetaret modestë ajo shfaq një egërsi e arrogancë që zë fill te gjuha publike e shefit të tyre.

Tipologjia e gjobave për mosmbajtje të maskës, e cila do duhej të jepej falas, po godet, kryesisht të rinjtë, të papunët dhe të varfrit e periferive, të asaj periferie ku jetonte edhe Klodian Rasha. Nuk është dita sot për të kujtuar të vrarët nga krimi dhe punën e Policisë, po për t’i bërë thirrje asaj, të gjithë atyre që kanë ndërgjegje qytetare brenda saj, të mos bëhen pjesë e këtij transformimi, i cili nga instrument sigurie për qytetarët e shndërron në instrument dhune ndaj tyre.

Një fjalë e urtë italiane thotë “kush me shpatë plagos, nga shpata e pëson”! Nuk është dita për t’i kërkuar dorëheqjen zotit ministër, se ai s’e ka më në dorë atë, ai nuk mund të ike, as të rrijë pa leje. Nuk e ka atë liri. Ai vetëm mund të ndukë gradat me shkulmë nga petkat e veta ushtarake për hir të pushtetit, të skuqet dhe belbëzojë pa leje, të dëbojë ndonjërin edhe që nuk e mendon Edi Ramën strateg më të madh se Napoleon Bonaparti, ta qortojë si të pakulturë çdokënd që nuk ka lexuar të vetmin libër që ai ka shfletuar, atë sesi bëhen hamburgerët dhe pse MekDonals nuk shtrihet paq gjithandej, po vetëm kaq. Po bindët Ramën që i prish punë, është hesap tjetër./ Panorama

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E trishtë/ Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-sulmuesi

Ish-sulmuesi xhamajkan, Luton Shelton ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, për shkak të një sëmundje. Shelton ishte diagnostikuar në vitin 2018 me sëmundjen “ALS”, e...

Berlini përgatitet për konsultime me administratën Biden

Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi...

Samsung u ngrit si një dyqan që shiste perime, dhe kuriozitete që nuk i dinit

Sistemi ligjor i Japonisë ka një normë dënimi prej 99 për qind. Peshkimi mbetet profesioni i dytë më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara, pas...

Analisti: Basha do ketë Tiranën, ja kush do jetë drejtuesi i PD në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar drejtuesit politik në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë që janë ende për t’u zbuluar se cilët do të...

A do jetë sërish kandidat për deputet? Ja si përgjigjet Ervin Salianji

Ervin Salianji është shprehur se ekziston mundësia që ai të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. I ftuar në “Zonë e lirë”,...