Rastet me koronavirus në SHBA dhe mbarë botën, po shtohen me ritme të frikshme nga fillimi i këtij muaji. Ndërsa ekspertët paralajmërojnë një dimër të vështirë. Derisa të nisë shpërndarja në masë e vaksinave, ja cilat janë arsyet kryesore që e kanë sjellë këtë situatë:
Lagështia e ulët dhe temperaturat e ulëta
Transmetimi i sindromës akute të frymëmarrjes nga koronavirusi SARS-CoV2, duket se rritet me një nivel lagështire më të ulët, dhe temperatura gjithashtu më të ulëta. Kjo ndodh pasi lagështia relativisht e ulët dhe më pak avuj uji në ajër, mund të krijojnë spërkla më të vogla dhe më të lehta të frymëmarrjes, që kanë përqendrime më të larta të virusit dhe mund të qëndrojnë më gjatë në ajër. Gjithashtu virusi mund të jetë në gjendje të mbijetojë më gjatë në temperatura të ulëta.
Rihapja e bizneseve dhe shkollave
Duke qenë se transmetimi i koronavirusit Covid-19, pritej të kapte kulmin në fundin e vjeshtës dhe fillimin e dimrit, autoritetet duhet të ishin më pro-aktive në lidhje me masat parandaluese edhe ato të kontrollit gjatë stinës së verës. Në mënyrë të ngjashme, në biznese dhe shkolla duhet të ketë shumë më tepër sesa thjesht distancim fizik apo maska. Në shumë raste kjo nuk ka ndodhur, dhe pasojat po shihen.
Zhvendosja nga grumbullimet në natyrë në ato në mjediset e brendshme
Qëndrimi në ambientet e jashtme, siguronte 2 avantazhe: ventilim dhe mundësi për më shumë distancim fizik. Kur këto nuk janë më automatikisht të pranishme, duhet pasur shumë më tepër vigjilencë, që gjë nuk po ndodh.
Gripi dhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes
Gripi dhe viruset e tjera të frymëmarrjes, mund të mos kenë arritur ende fuqinë e plotë. Por qëndroni vigjilentë, pasi dimri sapo ka filluar. Dhe simptomat me Covid-19 shpesh mbivendosen njëra me tjetrën.
Njerëzit që janë bërë më të shkujdesur ndaj masave parandaluese
Po, ndryshimi i sjelljes është i vështirë. Bindja e njerëzve për t’i bërë edhe gjërat më të thjeshta ndryshe për vetëm 1 minutë mund të jetë e vështirë, lëre më pastaj për muaj me radhë. Për më tepër që virusi është mikroskopik, dhe nuk mund të shihet çdo ditë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, vlerësojnë se mbi 50 për qind e transmetimeve të koronavirusit Covid-19, ndodhin nga njerëz që as nuk e kuptojnë që janë të infektuar. Edhe lodhja nga pandemia, po luan gjithashtu një rol. Njerëzit janë lodhur duke dëgjuar mbi pandeminë, dhe duke respektuar masat kufizuese.
Fushatat keq-informuese
Shumë informacione të diskutueshme, po vijojnë të përhapen në lidhje me pandeminë. Në SHBA Skot Atlas, që është neuroradiolog në profesion, dhe jo një ekspert mbi sëmundjet infektive, sugjeroi që njerëzit të “rebelohen” kundër masave parandaluese të koronavirusit Covid-19, të propozuara nga ekspertët e fushës.
Mungesa e planeve të koordinuara kombëtare
Kjo gjë vazhdon të jetë një problem i madh. Virusi nuk njeh kufij kombëtarë, shtetërorë ose komunalë. Ai do të vazhdojë të vazhdojë derisa të ndeshë një pengesë si një maskë fytyre, një dezinfektues, pastrimin me ujë dhe sapun, apo të jetë shumë larg nga një qenie tjetër njerëzore që të infektojë.
Për sa kohë që këto gjëra nuk janë adresuar plotësisht, numri i rasteve të reja të raportuara të koronavirusit Covid-19, shtrimet në spital dhe potencialisht përfundimisht vdekjet në ditë do të vazhdojnë të shtohen.
Burimi i lajmit: https://www.forbes.com/sites/brucelee/2020/11/23/why-are-covid-19-coronavirus-cases-increasing-here-are-7-reasons/?sh=34e902444aa8
Përshtatur nga TIRANA TODAY