Lajme të mira nga Gjirokastra për sa i përket futbollit.
Pas situatës kaotike që solli edhe falimentin e Luftëtarit, i cili këtë sezon nuk merr pjesë në asnjë prej kategorive të futbollit shqiptar, kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi, ka bërë me dije se ditën e sotme, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, miratuar krijimi i Fondacionit “Akademia e Futbollit Luftëtari”, që do të ringrejë ekipin, i cilin për fat të keq u rrënua.
Gjithashtu, kryetari Golemi zbulon se u zgjidh edhe çështja e kontratës së qerasë dhe stadiumi i Gjirokastrës, në vijim do të administrohet nga Bashkia.
Postimi i Golemit në Facebook
Lajme të mira nga mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak Gjirokastër.
Miratuam shpërblimin financiar për 63 nxënës ekselentë në gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare, shumë që varion nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë të reja.
Zgjidhëm kontratën e qerasë dhe stadiumi i qytetit sot e tutje do të administrohet nga Bashkia Gjirokastër.
Miratuam krijimin e Fondacionit “Akademia e Futbollit Luftëtari”, që do të ringrejë ekipin, të cilin për fat të keq e rrënuan ata që krijuan malin me borxhe dhe që ne i kemi çuar përpara drejtësisë për të dhënë llogari.
Miratuam bashkëfinancimin me TID Gjirokastra për të nisur menjëherë dekorin për festat e fundvitit.
Ata që thonë se bashkia është mbyllur për shkak të Covid, thjesht mos i merrni seriozisht. S’kanë punë tjetër veçse të shajnë e shpifin nga frëngjitë e Facebook.