Kina është në panik për një rikthim të pandemisë edhe më të egër se i pari që u përhap në Wuhan. Që pas shpërthimit të pandemisë, masat janë tejet të rrepta, dhe se nuk ka përjashtim për askënd. Kontrollet janë jo vetëm në aeroporte, por dhe në stacionet hekurudhore.
Të gjithë kontaktet e të infektuarve janë vendosur në karantinë, edhe ata që nuk kanë shfaqur simptoma. Karantina është e detyrueshme në Kinë për të gjithë ata që vijnë nga jashtë. Gazetari shqiptar në Kinë, Edison Myrteza, në një lidhje ‘Skype’ në ‘Wake Up’, rrëfeu disa detaje si arriti Kina me 1 miliard e gjysmë banorë të mposhte koronavirusin.
“Të paktën gjatë ‘javës së artë’, kanë qenë mbi 642 milionë udhëtime, pra një shifër jashtëzakonisht shumë e madhe. Protokollet jo vetëm në aeroporte, por edhe në trena, apo çdo pikë hyrje dhe dalje nga Kina duket se vazhdojnë të jenë të rrepta ashtu si edhe më përpara, pavarësisht se nuk ka më raste.
Për aeroportet, askush nuk lejohet të hipë në avion pa bërë tamponin. Në momentin që kanë menduar të udhëtojnë drejt Kinës, duhet të bëjnë tamponin. Procesi është i gjatë, sepse pasi kanë kryer tamponin, ky dokument duhet çuar nëpërmjet postës zyrtare të ambasadat kineze në çdo vend të botës dhe më pas kthehet përgjigjja që duhet të jetë negative.
Më pas nisen drejt Kinës për udhëtimin. Askush nuk mund të hyjë direkt në Pekin, duket një pikë tjetër, ndoshta Shanghai apo pikë tjetër. Është e panegociueshme karantina 14 ditore kur mbërrin në Kinë.
Gjatë këtyre ditëve të karantinës kryhen 3 procese tamponi, të cilat duhet patjetër të dalin negative. Edhe pasi mbaron tamponi dhe karantina dhe nëse duan të shkojnë në Pekin duhet të bëjnë 7 ditë karantinë dhe sërish tampon. Më pas mund të lëvizin të lirë”, bëri të ditur gazetari shqiptar në Kinë.
Ai tregoi se të gjithë ata që shkelin ligjin, përballen me masa të rrepta. Të gjithë ata që nuk kryenin procesin e karantinës, policia i ka arrestuar dhe i ka futur me zor në banesë.
“Të menaxhosh 1 miliard e gjysmë banorë, është shumë e vështirë. Masat drastike kanë qenë të shumta.
Në një qytet në Kinë, vetëm për 6 persona të infektuar; 9 milionë banorë u futën në karantinë dhe kryen tamponin. Kjo ndodh në çdo qytet ose provincë ku ka raste.
Në zonat rurale banorët bllokojnë banorët që nuk janë të zonës, për të mos lejuar qarkullimin e virusit.
Kanë qenë shumë të rrepta dënimet. Për ata që nuk kryenin apo procesin e karantinës, dilnin jashtë, policia i ka arrestuar dhe i ka futur me zor në karantinë. Veç gjobës, marrje me detyrim dhe në jo pak provinca punonjësit e shëndetësisë kanë futur në banesa dhe i kanë mbyll më dryn, madje i kanë ndryshuar çelësin. Ushqimet janë çuar nga autoritetet”, theksoi ai.