Në një konferencë për mediat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka folur lidhur me vendimmarrjen e politikës monetare. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim.
Ai tha se duke iu referuar skenarit bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijë në përmirësim, por do të mbetet ende në territor negativ gjatë gjysmës së dytë të vitit aktual dhe t’i kthehet rritjes në vitin e ardhshëm. Po sipas tij, politikat e deritanishme lehtësuese fiskale, monetare dhe financiare, kanë pasur një rol të rëndësishëm në përballimin e goditjes.
Fjala e Sejkos
Në datën 7 tetor 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare. Në përputhje me pritjet tona, informacioni i disponuar sugjeron se ndikimi i pandemisë në ekonomi ka qenë i plotë dhe serioz në tremujorin e dytë, por ka ardhur drejt reduktimit në muajt në vazhdim. Stimuli i njëkohshëm fiskal, monetar dhe financiar, ka rezultuar efektiv në shmangien e pasojave më negative të goditjes. Lehtësimi i masave të distancimit social, stabiliteti i tregjeve financiare, si dhe shëndeti i bilancit të sektorit bankar, përbëjnë premisa për një rikuperim gradual të aktivitetit ekonomik në të ardhmen.
Në përfundim të diskutimit, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Kushtet aktuale monetare ofrojnë stimulin e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. Megjithatë, përshkallëzimi i mëtejshëm i goditjes apo krijimi i vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, do të kërkonin rritjen e stimulit monetar.
Pandemia Covid-19 është sfida më serioze me të cilën është përballur ekonomia botërore gjatë dekadave të fundit. Aktiviteti ekonomik në shumicën e ekonomive ka shfaqur norma dyshifrore rënieje, papunësia është rritur, ndërsa gjendja financiare e sektorit privat është përkeqësuar. Masat e paprecedenta fiskale dhe monetare kanë lehtësuar impaktin e pandemisë, por perspektiva e rikuperimit mbetet ende e rrethuar nga pasiguri.
Inflacioni në vend shënoi një vlerë mesatare prej 1.3% gjatë muajve korrik e gusht, duke shënuar rënie krahasuar me tremujorin e dytë. Kjo rënie ka pasqyruar normat më të ulëta të inflacionit të artikujve ushqimorë dhe të disa kategorive të shërbimeve. Në terma makro, ngadalësimi i inflacionit pasqyroi shuarjen graduale të goditjeve të ofertës dhe shfaqi më të plotë efektin e rënies së kërkesës agregate, në vend dhe në botë.
Sipas të dhënave të Instat-it, aktiviteti ekonomik në vend shënoi një rënie vjetore prej 10.2% në tremujorin e dytë. Kjo rënie pasqyroi kontributin negativ të pothuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë dhe komponentëve të kërkesës agregate. Paralelisht me të, punësimi shënoi një rënie vjetore prej 3.6% ndërkohë që norma e papunësisë u rrit në 11.9%. Të dhënat e tremujorit të tretë mbeten ende paraprake. Megjithatë, ecuria më e mirë e të ardhurave tatimore dhe eksporteve, si dhe përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, sugjerojnë se rënia ekonomike ka vijuar, por me ritme më të ngadalta se në tremujorin e dytë.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim. Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijë në përmirësim, por të mbetet ende në territor negativ, gjatë gjysmës së dytë të vitit aktual dhe t’i kthehet rritjes në vitin e ardhshëm. Rritja e kërkesës agregate pritet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rritje të pagave e të kostove të prodhimit, duke ndihmuar në kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.
Jetësimi i skenarit bazë është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga ndikimi i saj në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit, nga shpejtësia e përmirësimit të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë, si dhe nga reagimi i duhur në kohë i autoriteteve publike dhe sektorit privat.
Politikat e deritanishme lehtësuese fiskale, monetare dhe financiare, kanë pasur një rol të rëndësishëm në përballimin e goditjes. Më konkretisht:
-stimuli fiskal ka zbutur ndikimin e goditjes në financat e biznesit dhe të familjeve;
-stimuli monetar ka ulur kostot e financimit në ekonomi, ka garantuar furnizimin e sektorit bankar me likuiditetin e kërkuar, si dhe ka krijuar premisat e nevojshme për rritjen e kreditimit; ndërsa,
-lehtësimi i përkohshëm i kuadrit rregullator të sektorit bankar, ka ndihmuar shtyrjen në kohë të pagesave të kësteve të kredisë dhe ka inkurajuar ristrukturimin e kredive, në përputhje me vullnetin dhe interesin e përbashkët të bankave dhe kredi-marrësve.
Në pasqyrim të këtyre masave, tregjet financiare shqiptare kanë operuar të qeta. Normat e interesit vijojnë të mbeten pranë minimumeve historike, ndërsa kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm. Në veçanti, sektori bankar ka vijuar të furnizojë me likuiditet bizneset dhe familjet në nevojë. Kredia për sektorin privat njohu një rritje mesatare vjetore prej 6.4% në muajt korrik – gusht, duke pasqyruar një transmetim të mirë të stimulit të politikave ekonomike, shëndetin e bilanceve dhe gatishmërinë e sektorit bankar për të kontribuuar në përballimin e goditjes.
Duke parë nga e ardhmja, Këshilli Mbikëqyrës vëren se garantimi i rritjes ekonomike kërkon ruajtjen e një kahu stimulues të politikave makroekonomike. Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se stabiliteti monetar dhe financiar në vend përbën një premisë pozitive për rikuperimin e ekonomisë dhe një parakusht esencial për qëndrueshmërinë në kohë të saj.
Në këtë kontekst, ndërsa reduktimi i pritur i stimulit fiskal në të ardhmen dhe normalizimi makroprudencial do të ndihmojnë ruajtjen e ekuilibrave financiare të vendit, politika monetare duhet të vijojë të ruajë qëndrimin e saj akomodues.
Në mbyllje të diskutimeve, duke gjykuar dhe mbi projeksionet e skenarit bazë dhe balancën e rreziqeve rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.
Për këtë arsye, ai vendosi:
-të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
-të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.
Politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit. Banka e Shqipërisë do të vijojë të ruajë formën aktuale të operacioneve të injektimit të likuiditetit, formë e cila garanton injektimin e pakufizuar në sasi të tij, deri në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Gjithsesi, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm. Në veçanti, rreziqe të kahut të poshtëm burojnë nga:
-zgjatja e theksuar në kohë e pandemisë dhe ri-prezantimi i mundshëm i masave të distancimit social për kontrollin e saj;
-lindja e problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të paparashikuara të treguesve të tjerë të tregut financiar.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.