Nga Shashi Tharoor “Project Syndicate”
Më 24 tetor, Organizata e Kombeve të Bashkuara do të kremtojë 75-vjetorin e themelimit të saj në vitin 1945. Mjerisht, organizata do ta bëjë këtë gjë në një kohë kur multilateralizmi nuk është dukur kurrë më i rrezikuar sesa sot. Pandemia e Covid-19, ka sjellë një epokë të re të globalizimit.
Dëshmitë e izolacionizmit dhe proteksionizmit janë në rritje, teksa shumë qeveri po e theksojnë me zë të lartë sovranitetin, nacionalizmin dhe vetëbesimin e tyre, dhe duke vënë
në pikëpyetje traktatet dhe marrëveshjet tregtare ndërkombëtare. Prandaj, OKB-ja ka të gjitha arsyet që të shqetësohet mbi vazhdimësinë e misionit të saj.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme më 22 Shtator, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres e quajti Covid-19 një “Kalorës të Pestë” të një apokalipsi të mundshëm global. Shfaqja e koronavirusit, përhapja e tij e shpejtë në të gjithë botën dhe rritja e numrit të të vdekurve (deri tani mbi 1 milionë), bashkë me frikën e përhapur që ka ajo ka shkaktuar, janë shoqëruar me një tkurrje dramatike të tregtisë botërore dhe recesionin ekonomik më katastrofik që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.
Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, është tani përtej mundësisë në një botë që po vuan nga kolapsi ekonomik dhe mosfunksionimi social. OKB-ja përballet sot me një krizë ekzistenciale, në të cilën ish-avokatët e saj më të mëdhenj po sfidojnë vetë premisat e multilateralizmit, mbi të cilin u themelua organizata.
Nën presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga multilateralizmi, duke bërë që presidenti francez Emanuel Makron të kritikojë së fundmi vullnetin e Amerikës për të mbetur si “garantuesja e shansit të fundit’ në sistemin ndërkombëtar.
Njoftimi i fundit i Trump se synon ta tërheqë SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mund të jetë paralajmërues i një shpërbërje më të gjerë të sistemit shumëpalësh të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Por edhe Evropa po pëson shumë ndryshime gjatë kësaj pandemie.
Kontinenti që konsiderohej sikur një “fëmijë model” për virtytet e integrimit rajonal, pa rrëzimin e solidaritetit evropian që në javët e para të pandemisë, duke vënë në dyshim edhe zonën Shengen të lëvizjes së lirë pa viza. Në fakt, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, rivendosën kufijtë kombëtare që pas rasteve të para me koronavirus.
Italisë, epiqendra e parë e shpërthimit epidemik të Covid-19 jashtë Kinës, iu mohua në fillim qasja në pajisjet e nevojshme mjekësore nga fqinjët e saj të BE-së. Ata vendosën kontrollet e eksportit, në vend se të tregonin solidaritet ndaj evropianëve të tjerë që ranë në fatkeqësi.
Besueshmëria e multilateralizmit të BE-së, do të kërkojë shumë kohë që të rikthehet.
Kërcënimi ndaj rendit botëror shumëpalësh, po shtohet edhe nga rritja e tensioneve Kinë-SHBA. Madje edhe liberalët po paralajmërojnë tani, se Kina do të përfitojë nga braktisja që Perëndimi po i bën OKB-së, duke marrë vetë drejtimin e sistemit multilateral.
Por multilateralizmi i Kinës është kryesisht retorik. Mënyra e preferuar e Pekinit, e treguar qartë nga programi i presidentit Xi Jinping për investimet në infrastrukturë, Nisma e Brezit dhe Rrugës, është nënshkrimi i marrëveshje të pabarabarta dypalëshe – pa mbikëqyrje shumëpalëshe nga një organ i pavarur i OKB – që i lë vendet partnere të zhytura në borxhe të varura nga Pekini.
Kur OBSH-ja u përpoq të ushtronte rolin e saj mbikëqyrës në Vuhan në fillim të pandemisë, Kina e kundërshtoi. Larg shfaqjes së aftësisë së sistemit shumëpalësh për të luftuar kolektivisht një emergjencë globale shëndetësore, Covid-19 ka dëshmuar legjitimitetin në rënie të institucioneve ndërkombëtare.
Reagimi i OBSH-së ndaj pandemisë, tregoi se shumë institucione globale dhe agjencitë e tyre janë të politizuara, të manipuluara nga fuqitë e mëdha, dhe se atyre u mungon lidershipi dhe qëllimi i pavarur. Kina, një lojtare kryesore në OBSH, preferoi të mbrojë interesat e saj kombëtare sesa shëndetin publik global.
Por kjo nuk është fusha e vetme ku nacionalizmi dhe izolacionizmi ekonomik e kanë dëmtuar rendin ndërkombëtar të pasluftës, dhe zvogëluar aftësinë e OKB-së për veprim kolektiv. Dështimi më serioz lidhet me zbutjen e ndryshimit të klimës.
Dikur një prioritet vetëm për shkencëtarët dhe aktivistët, ndikimi i ngrohjes globale është sot më i dukshëm dhe shkatërrues se sa në çdo periudhë të historisë. Sot, emigrantët e klimës janë më të shumtë se refugjatët që ikin nga konfliktet, apo ata që kërkojnë mundësi ekonomike.
Edhe pse disa udhëheqës botërorë folën për ndryshimin e klimës në Asamblenë e Përgjithshme, nuk pati asnjë angazhim të ripërtërirë për një përpjekje të përbashkët për ta trajtuar këtë problem, edhe pse kjo dekadë është afati i fundit për të shmangur katastrofën.
Sigurisht, OKB-ja është ende duke bërë punë me rëndësi në të gjithë botën. Rreth 95.000 trupa ushtarake, policore, dhe personel civil shërbejnë në mbi 40 operacione paqeruajtëse dhe misione politike të OKB. Por kontributet e papaguara në buxhetin paqeruajtës, që është pak më shumë se 8 miliardë dollarë, arritën në 1.7 miliardë dollarë vitin e fundit.
Po kështu, 711 milion dollarë mungojnë në buxhetin e përgjithshëm të KB. Sikur sistemi të funksiononte në mënyrë efektive, alarmi global mbi rrezikun e tij do të ishte dhënë shumë
më shpejt sapo u shfaq koronavirusi. Praktikat më të mira për ta parandaluar ose kufizuar përhapjen e tij do të ishin identifikuar dhe reklamuar, dhe të gjitha vendet do të ishin inkurajuar t’i miratonin ato.
Në fakt, pandemia zbuloi një botë të shteteve-kombe të mbyllura në vetvete, dhe në një garë shkatërruese të ‘shumës zero’. Kur kriza aktuale të ketë mbaruar, OKB duhet të drejtojë botën duke mësuar leksionet nga ajo që ndodhi, duke vlerësuar se si mund të forcohen dhe reformohen rrënjësisht sistemet dhe institucionet ndërkombëtare, për të parandaluar përsëritjen e një situatë të ngjashme. Përndryshe, 75 vjetori i OKB-së, mund të mbahet mend si momenti kur një virus vdekjeprurës shkatërroi vetë idenë e humanizmit tonë të përbashkët.
Shënim: Shashi Tharoor, ish/zëvendësekretar i përgjithshëm i OKB-së, dhe ish-ministri Indian i Shtetit për Punët e Jashtme.
Burimi i lajmit: https://www.project-syndicate.org/commentary/united-nations-anniversary-covid19-existential-crisis-by-shashi-tharoor-2020-10
Përshtatur nga Tirana Today