Kryeministri Rama i është përgjigjur akuzave të presidentit Meta, për çështjet e humbura në Arbitrazh nga shteti shqiptar. Në kundërpërgjigje, kryeministri Rama tha se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes, dhe se deri më tani shteti shqiptar nuk ka humbur në Arbitrazh.
“Ka disa kohë që është ngulur në opinion ideja që ne kemi humbur Arbitrazhe. Po iu ça bëni ju? Pse nuk shikoni a është e vërtetë kjo? Deri më tani që flasim, nuk kemi asnjë proces të përfunduar ku ne të kemi humbur.
Nuk kemi, kemi skuadra të përbashkëta që punojnë për t’i zbrapsur këto vendime që janë të natyrës paraprake.
Se mirë ata që e kanë detyrë të mos ia kërcasin kokoshkës. Por iu të paktën bëni verifikime. Kemi fituar Arbitrazhe po, por nuk kemi humbur deri më tani që po flasim.
Dhe vazhdojnë përpjekjet në rrugë legale. Dhe ka një rregull të artë dhe të detyrueshëm për çdo shtet. Nuk duhen bërë komente sipas ligjit, sepse konsiderohen shkelje të procesit. Llogariteni vetë tani”.
Kreu i Shtetit, në një deklaratë për mediat, i kërkoi llogari strukturave shtetërore lidhur me gjyqet e humbura në Gjykatën e Arbitrazhit, të cilat tha se po shtojnë borxhin e ekonomisë shqiptare e cila akoma nuk e ka marrë veten nga tërmeti dhe pandemia e koronavirusit.