Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka paralajmëruar Armeninë se do të japë llogari për luftën ndaj Azerbajxhanit. Teksa ka marrë fjalën në parlament, Erdogan ka konfirmuar se Turqia do të vazhdojë të mbështesë vëllezërit e Azerbajxhanit.
Ai është shprehur se rruga e paqes së përhershme në këtë rajon, kalon përmes tërheqjes së armenëve nga çdo cep i territorit azerbajxhanas që ata kanë pushtuar. Presidenti Erdogan ka shtuar paralajmërimet ndaj kujdo që mbështet Armeninë, duke e konsideruar si një shtet hajdut.
“Si Turqi do të vazhdojmë me zemër dhe me të gjitha mundësitë të mbështesim vëllezërit tanë të Azerbajxhanit, për të cilin ne veten tonë e shohim si “një komb, dy shtete”.
Rruga e paqes së përhershme në këtë rajon kalon përmes tërheqjes së armenëve nga çdo pëllëmbë e territorit azerbajxhanas që ata kanë pushtuar. Ata që mbështesin këtë shtet hajdut (Armeninë), i paralajmëroj se do të japin llogari përpara ndërgjegjes së përbashkët të njerëzimit”.
Presidenti i Azerbajxhanit ka deklaruar se nuk do tërhiqet, derisa armenët ta lëshojnë vetë rajonin. Disa vende iu kanë bërë thirrje të dy shteteve të ndalojnë luftën dhe të fillojnë diskutimet.
Rusia nga ana tjetër ka thënë se është e hapur për bisedime, për ti dhënë fund luftës. Konflikti ka rritur tensionet dhe midis aleatëve të NATO-s, Francës dhe Turqisë. Franca është shtëpia e shumë njerëzve me origjinë armene, ndërsa Turqia tradicionalisht ka mbështetur Azerbajxhanin.