Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizituar kryeopozitarin rus Alexei Navalny, i cili po kurohet në një spital të Berlinit për helmim. Kjo vizitë e Merkel ka të ngjarë ta zemërojë Moskën, e cila i ka hedhur poshtë përfundimet e ekspertëve gjermanë, francezë dhe suedezë se zoti Navalni u helmua me një agjent nervor në Rusi muajin e kaluar.
Rusia e ka kritikuar vazhdimisht Gjermaninë, duke thënë se ajo dështoi të ndajë informacionet për çështjen në fjalë.
“Ishte një vizitë personale tek Navalni në spital,” tha zëdhënësi i zonjës Merkel Steffen Seibert në një konferencë të rregullt për shtyp, duke mos pranuar të japë hollësi se për çfarë u fol dhe sa kohë zgjati takimi.
Navalny shkroi në Tëitter se ishte “një takim privat dhe bisedë me familjen.” Ai shtoi: “I jam shumë mirënjohës Kancelares Merkel që më vizitoi në spital”.
Alexei Navalny u dërgua nga Rusia në Berlin muajin e kaluar, pasi u sëmur gjatë një fluturimi me linjat e brendshme në Rusi. Ai u trajtua në Spitalin Charite për 32 ditë para se të dilte javën e kaluar.