Pak ditë na ndajnë nga hapja e shkollave, e ndërsa sfidë me vete është menaxhimi lidhur me pandeminë. Kryeministri Edi Rama, shpjegoi pasojat nëse shkollat do të vazhdonin të qëndronin mbyllur.
Ai tha se ky vit shkollor na gjen më ndryshe, e ndërsa citoi ndër të tjera se teknologjia nuk zëvendëson dot mësimin në shkolla.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë solli edhe një herë në fokus sfidën me koronavirusin. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai deklaroi se me hapjen e shkollave, rritet në mënyrë të konsiderueshme mundësia e transmetimit. Por opsioni i mbylljes së shkollave mbetet opsioni më i keq, që do të shkaktonte një kosto tjetër psikologjike për fëmijët.
“Më vjen mirë që sot e kemi përmbyllur këtë përpjekje të madhe të përbashkët, por tuajën në radhë të parë dhe jemi në gjendje që të ofrojmë një rrugë alternative mësimi. Por sidomos në kushtet e sotme, kur arsimi është i sfiduar nga domosdoshmëria për të mbrojtur shëndetin.
E dimë mirë që me hapjen e shkollave, rritet në mënyrë të konsiderueshme mundësia e transmetimit dhe është një sfidë më vete.
Por duke vlerësuar këtë vendim, dhe duke parë edhe çfarë kanë bërë të tjerët, opsioni i mbylljes së shkollave ishte opsion më i keq dhe patjetër që do të shkaktonte një kosto tjetër sidomos psikologjike për fëmijët, me pasoja që ne nuk i llogarisim dot”, u shpreh Rama.