Presidenti Hashim Thaçi, në një konferencë për mediat ka shprehur mirënjohjen ndaj SHBA-së, duke i qëndruar pranë Kosovës në çdo hap. Për zotimet që pala kosovare dhe ajo serbe i dhanë ndaj SHBA-së për çështje të caktuara, Thaçi meritat ia adresoi presidentit amerikan Donald Trump dhe emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Duke filluar nga presidenti Bush i vjetër, që pati tërhequr vijën e kuqe për Serbinë në raport me Kosovën, për të vazhduar tutje me presidentin Clinton që udhëhoqi bombardimet e NATO-s për të fituar Kosova lirinë.
Për të vazhduar me Bushin e ri që bëri Kosovën e pavarur dhe sovrane, pastaj me administratën Obama-Biden dhe tani me vendosmërinë dhe përkushtimin personal dhe lidershipin e presidentit Trump, që filloi me përkrahjen për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe fuqizimin ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës.
Në të gjitha takimet që kam zhvilluar në këto 4 vite me presidentin Turmp, më ka folur për Kosovën si vend dhe popull i mrekullueshëm. Javën e kaluar ishte një konfirmim tjetër i këtij përkushtimi dhe kësaj përkrahje.
Ndjehem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët për më tepër se dy vite me administratën e presidentit Trump, me përkushtimin personal të ambasadorit Grenell, të premten e kaluar arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto përpjekje.
Kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e SHBA-së, në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë, hasëm në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë.
Me formalizimin e marrëveshjes në Shtëpi të Bardhë, të gjitha këto u treguan të rrejshme, të paqëndrueshme dhe paragjykuese”, tha Thaçi.