25-vjeçari i cili la të mbytej në plazhin e Velipojës 17-vjeçaren Enisa Doda, rezulton të jetë i martuar në Angli, raporton “Abc News”. Ky detaj shton edhe më shumë misterin rreth ngjarjes tragjike, që i mori jetën adoleshentes dy ditë më parë.
Indrit Bajraktari, 25-vjeç, tashmë i arrestuar nga policia, së bashku me 17-vjeçaren kishin marrë me qira një motor uji rreth orës 14:00 të pasdites së të mërkurës. Sipas policisë, Bajraktari ka dalë nga deti pa vajzën dhe pa motorin e ujit. Ndërkohë ky i fundit i ka thënë uniformave blu se vajzën e ka lënë në breg, pranë xhaxhait të saj.
Dyshimet për ngjarjen e rëndë kanë lindur nga pronarët e motorit të ujit, të cilët nuk i lënë më shumë se 30 minuta motorët dhe kanë nisur kërkimet në det. Ato janë nisur me varkë për të gjetur motorin, por aty kanë takuar të riun i cili në dëshminë e tij ka gënjyer. Ai po kthehej me not në breg, dhe kur është pyetur nga pronarët e skafit, ka deklaruar se “vajzën e ka marrë xhaxhai i saj”.
Trupi i saj i pajetë është gjetur nga peshkatarët pas rreth 15 minutash. Doda është me origjinë nga Burreli, por ishte banuese në Bathore. Dy të rinjtë ishin njohur në rrjetet sociale, dhe ishin takuar gjatë pushimeve në Velipojë.