Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila shprehet se lajmi që kryeministri Avdullah Hoti doli pozitiv me COVID-19, nuk është aspak çudi. Duke rikujtuar faktin se virusi është mes nesh, ajo kërkon të dijë nga Hoti se pasi nuk është ndjerë mirë, pse nuk është izoluar menjëherë.
Sipas saj, Hoti bëri të kundërtën e protokollit që sugjeron që prej testimit deri tek marrja e rezultatit. Ajo kërkon të dijë nga kryeministri se pasi u testua, pse doli në terren, duke rrezikuar kësisoj shumë qytetarë të cilëve nuk u jepet mundësia për tu testuar.
Ajo shton më tej se Kosova ka një kryeministër që injoron protokollin, duke vënë në rrezik bashkëpunëtorët dhe qytetarët e vendit me vizita tē paarsyeshme në kohë pandemie.
Statusi
Mirëmëngjesi Kosovë,
E Hënë, ditë e re dhe javë e re.
Lajmi i mbrëmjes, z. Avdullah Hoti doli pozitiv me virusin Covid – 19. Ky lajm nuk është ndonjë çudi. Tanimë virusin e kemi mes nesh dhe secili mund të jetë personi i radhës i infektuar kur nuk i respekton udhëzimet e IKSHPK-së.
Me këtë rast z. Hoti i uroj shërim të shpejt dhe kthim në detyrën e tij nga e cila shpresoj se i shëruar dhe i fortë do të largohet së shpejti!
Arsyet për këtë largim po rriten çdo ditë e më shumë.
Pasi nuk u ndie mirë dhe pasi pati arsye të testohet, pse nuk u izolua z. Hoti?
Pse ai bëri të kundërten e protokollit i cili sygjeron se prej testimit deri tek marrja e rezultatit, personi izolohet?
Pse z. Hoti pasi u testua doli në terren dhe takoi dhjetëra njerëz e biznese të cilët sot të gjithë potencialisht janë të rrezikuar e sigurisht disa prej tyre, nuk do t’iu ipet as mundësia për t’u testuar. Asnjëri nga ta nuk ia pat me borxh të marrë virusin nga Kryeministri.
A do të thotë kjo që në javën kur vdekshmëria nga pandemia arriti kulmin më të lartë, Kosova ka një Kryeministër që injoron protokollin, vënë në rrezik bashkëpunëtorët dhe qytetarët e vendit me vizita tē paarsyeshme për kohë pandemie. Z. Hoti, nga zemra ju uroj të shëroheni ju dhe të gjithë ata që janë të prekur nga ky virus. Gjithashtu, uroj që sa më pak të keni shpërndarë virusin tek bashkëpunëtorët që ishin me ju në vizita dhe poashtu tek ata që i vizituat.
Ju asgjë nuk keni bërë për t’a lehtësuar këtë pandemi në Kosovë që kur jeni në atë zyre, ndërsa, me dje, edhe fizikisht keni rrezikuar biznese dhe jetëra njerzish.
Uroj asnjë tjetër mos të ketë virusin, ndërsa ju me sjelljen tuaj pasi të jeni shëndoshë na keni dhënë edhe një arsye për të ju shkarkuar. Ndërsa, do të ishte shumë e duhur, sikur ju dhe qeveria të jepni dorëheqje vetë, të paktën do kishim një bindje se më në fund e kuptuat përgjegjësinë dhe jo përgjegjshmërinë tuaj.
Shëndet e qofshin të shkuara këto ditë!