Një aksident i rëndë është regjistruar në aksin rrugor Zvezdë-Podgorie, si pasojë e të cilit kanë mbetur të plagosur 4 shtetas sirianë.
Ngjarja është shënuar në kryqëzimin e fshatit Podgorie në vendin e quajtur “Lapidari”.
Mësohet se drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë, në hyrje të qytetit të Bilishtit. Në kushte të tilla policia në bashkëpunim me FRONTEX është vënë në ndjekje të tyre.
Drejtuesi i mjetit për t’i shpëtuar policisë ka zgjedhur aksin rrugor nga Zëmblaku, për të kaluar më pas në aksin nacional Korçë-Pogradec.
Në kryqëzimin e fshatit Podgorie ishte vendosur një tjetër postbllok policie i cili kishte bllokuar pjesën më të madhe të rrugës.
Në tentativë për ta shmangur mjetin e policisë, ai është përplasur me një automjet tjetër, duke sjellë edhe përmbysjen e mjetit.