Javët në vazhdim nuk pritet një rritje më e madhe e shifrave të infeksioneve me koronavirus. Kështu është shprehur epidemiologu Dritan Ulqinaku, në studion e emisionit “ABC-ja e Mëngjesit”, ndërsa ka analizuar situatën në të cilën ndodhet Shqipëria nga epidemia.
Ai shpjegoi këtë trend lidhur me faktin se për sa kohë nuk do të kemi rritje të kontakteve, nuk do të ketë as rritje të shifrave më shumë se aktualisht.
“Tani jemi të gjithë të hapur, në punë me përjashtim të disa bizneseve të vogla. Rastet nuk kanë pse shtohen më tej.
Shpresoj të mos kemi një rritje të vazhdueshme, por të kemi një trend apo një ulje që jeta të vazhdojë pa kufizime. Unë shoh që jeta është në normalitetin e vetë.
Muzika ndalohet nga frika. Unë e kam thënë, që çdo ndalim është një dështim. Është fakt që presioni i ISHSH prej pamundësisë për t’i kontrolluar, mund të ketë sjellë këtë. Unë bëra pushime në jug dhe djali im tre ditë i kaloi në pubet e natës”, tha Ulqinaku.