Sistemi Zgjedhor ka qenë kryefjala gjatë ditës së sotme dhe jo vetëm. Kryemadhi dhe Vasili i shkuan në zyrë Bashës. E ndërsa ky i fundit takoi ambasadorin gjerman, Peter Zingraf. Mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story’’, anëtarja e Këshillit Politik, deputetja Rudina Hajdari, ka hedhur dritë mbi atë se çfarë diskutohet në tryezë për Sistemin Zgjedhor. Ajo la të nënkuptuar se opozita është evazive sa i përket ndryshimit të Sistemit Zgjedhor, kurse për mazhorancën shprehet e sigurt se nuk do lista të hapura.
“Kanë qenë shumë evazivë, por siç mund t’jua marrë mendja, edhe qëndrimet për ndryshimin e sistemit. Bylykbashi ka qenë i hapur, pastaj ka hedhur tezën e Bashës për sistem mazhoritar, pastaj ka thënë që me këtë sistem që kemi nëse bëhet siç duhet mjaftojnë rekomandimet e ODIHR. Dua që nga opozita jashtëparlamentare, të ndajë mendjen. Mazhoranca nuk i do listat e hapura, sepse do status- quo. Janë komodë siç janë. Një mazhorancë arrogante, por kur bashkohet gjithë shoqëria që ka humbur shpresën, atëhere çfarë do të bëjë mazhoranca, dhe ky do jetë një moment historik në këto 7 vite.
Kam qenë e irrituar nga opozita jashtëparlamentare, sepse kur ka qenë tema e sistemit, flisnin për deklaratën e Ramës për 3 orë. Prisja me padurim që të mbaronin deklaratat politike dhe të bënim një punë. Kishim 3 orë që të bënim. Donin t’i bënin bisht sistemit.
Dhe në momentin që ka ardhur një e-mail nga Ambasada Amerikane, ishin të heshtur. Unë e përmenda. Ata ishin të qartë që merreni sistemin danez sepse është rrugë e mesme. Pra nëse flas unë për sistemin, propozimet, ju nuk i pranoni. Pse nuk e merrni këtë rekomandim? Në momentin që është bërë, është thënë që të paktën të pyesim ODIHR, së paku si funksionon. Thjesht duhet vullnet politik. Duhet kërkesë e përbashkët nga 4 anëtarët për t’i kërkuar rekomandim ODIHR për sistemin. Që dhe ata ta zbatojnë si kërkesë. Është në dorën time t’i bind anëtarët e Këshillit Politik”, tha Hajdari.
Deputetja la të kuptuar se nuk është mërzitur që u shkarkua si Kryetare e Grupit Parlamentar Demokrat. “Në atë grup ishim individë pa lidhje me njëri-tjetrin, fatet tona nuk janë të lidhura, secili kemi dëshirat tona. Për mua rëndësi ka që të jemi unison sa i përket ndryshimit të sistemit. Jemi para një viti zgjedhor, çdokush ka aspiratat, zgjedhjet dhe planet e veta”.
Sa për qëndrimin e saj dhe të deputetëve opozitarë në Kuvend pro listave të hapura dhe ndryshimit të sistemit zgjedhor, Hajdari nuk e fshehu ndikimin amerikan.
Kanë ndikim ndërkombëtarët, amerikanët në këtë pikë?
“Po, patjetër nuk them që është vetëm përpjekja e opozitës, por edhe e aktivistëve, shoqërisë civile, që e kanë vënë në dukje që ndryshimi i sistemit është një hap pozitiv. Hapja e listave do sillte një demokraci me funksionale dhe më të denjë. Shqiptarët do ndjeheshin më të përfaqësuar, sot nuk kanë asnjë rol, se iu kemi mbyllur të gjitha rrugët”.
A ka një marrëveshje Rama-Basha-Kryemadhi, për të mbajtur këtë sistem?
“Uroj të mos ketë, uroj që opozita në mënyrë të natyrshme të jetë pro hapjes së listave, të japë shpresë në popull, pse të mos e bëjmë këtë hap përpara”.