Mjeku i njohur, Pëllumb Pipero shprehet se intensiteti i koronavirusit ka rënë, teksa thekson se numrat janë në ulje të qëndrueshme.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për News24, Pipero tha se historia e Shqipërisë me këtë virus po shkon drejt fundit.
“Intensiteti i virusit ka rënë, numrat janë në ulje të qëndrueshme, grafiku ka oshilacione, por vijnë nga strategjia jonë që gjurmon rastet dhe kontaket e afërta. Pra kemi pasur diku 15 apo 5, por rastet përgjithësisht janë asimptomatikë. Historia jonë me COVID po shkon drejt mbylljes”, tha ai.
Në lidhje me kufizimet që u rikthyen në fundjavë, Pipero tha se në fundjavë ka rrezik për grumbullimin e njerëzve. Sipas tij, në fund të muajit maj duhet të hiqen kufizimet në të gjitha zonat.
“Virusit nuk i shkojnë batuat, por në fundjavë ka rrezik për grumbullimin e njerëzve, shtohet rreziku për shtimin e numrave. E gjykoj të arsyeshme fundjavën më të shtrënguar, por them se ecuria e epidemisë më bën optimist se fundi i muajit do të jetë tërësisht i lirë. Do të sugjeroja që në fund të majit të hapeshin të gjitha zonat. Nga ekspozimi mund të fitojmë edhe më shumë imunitet…Besoj që në fund të majit të hapen edhe fundjava”.