Në këto momente të vështira në të cilën ndodhet bota, ndihmat e ofruara janë mësë të mirëpritura. SHBA-ja do ti vijë në ndihmë Rusisë, për të përballuar pandeminë.
Presidenti amerikan Donald Trump, ka telefonuar homologun e tij rus Vladimir Putin, ku i shprehu gatishmërinë për të ofruar ndihma mjekësore në Rusi, pas krizës që po përjeton Moska nga situata e Covid-19.
“Gjatë diskutimit për pandeminë Covid-19, u vlerësua bashkëpunimi dypalësh dhe të dy presidentët ranë dakord të rrisin më tej koordinimin në këtë drejtim. Në veçanti, pala amerikane ofroi gatishmërinë e saj për të dërguar ndihma mjekësore në Rusi”, njoftoi Kremlini.
Zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, konfirmoi detajet përmes një postimi në Twitter. Ai tha se presidenti Trump po kujdeset për qytetarët amerikanë, si dhe për çdo vend që është në rrezik.
“Presidenti Trump përsëriti faktin se Shtetet e Bashkuara po punojnë shumë, për t’u kujdesur për qytetarët amerikanë, dhe gjithashtu janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë për çdo vend, përfshirë Rusinë”.
Rusia ka regjistruar për disa ditë me radhë mbi 10 mijë raste të reja me koronavirus, shkruan CNN.