Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero është shprehur se ndonëse situata është e qetë, nuk duhet të ketë rënie të vigjilencës dhe kujdesit. Sikundër edhe në daljet e tjera për mediat, ai ka kërkuar nga ana e qytetarëve që të tregojnë kujdes, pasi pandemia nuk ka përfunduar. Pipero tha në një intervistë për “News24” se virusi qarkullon, pavarësisht se me ritëm të ulët. Ndaj duhet që medoemos të respektojmë ato masa të rëndësishme për këtë fazë të dytë, që është faza e hapjes graduale, por e qëndrueshme.
“Situata është shumë e qetë. Epidemia ka një ritëm rënës, ulje të qëndrueshme. Edhe sa i takon numrit të rasteve të shtruara, që po shtrohen në spital që janë 2-3 në ditë, herë pa asnjë rast fare. Edhe sa i takon numrit të rasteve të reja pozitive që dita e fundit e ka qenë 9, 7, 6 sot.
Lajmi i mirë është që numri i rasteve të shëruara shtohet nga dita në ditë. Tashmë kemi më shumë se gjysmën e personave të prekur, të shëruar. Situata është mjaft e qetë, por kjo qetësi nuk duhet të na ulë as vigjilencën. Nuk duhet të na vërë as në gjumë, nuk duhet të na ulë as kujdesin.
Ende virusi qarkullon, pavarësisht se me ritëm të ulët dhe ndofta edhe me virulencë të ulët por ende qarkullon. Sa kohë virusi qarkullon, neve duhet që medoemos të respektojmë ato masa të rëndësishme shumë për këtë fazë të dytë që është faza e hapjes graduale por e qëndrueshme. Do të thotë që ende duhet të kemi kujdes, sidomos në vende publike. Qytetarët të ruajnë distancën fizike, të vendosin një maskë, ata që shërbejnë të kenë maska e doreza, higjiena e duarve, larja sa më shpesh, janë disa masa që duhet t’i respektojmë në vijimësi”, u shpreh mjeku.
Sipas tij, hapja rajonale është një hapje e rekomanduar edhe nga OBSH-ja, por edhe strategjitë e vendeve të tjera. Lejimi i automjeteve e lokaleve, duhet të bëhet sipas udhëzimeve.
“Hapja rajonale, atje ku kemi 2-3 javë pa qarkullim virusi, nuk duhet të kemi frikë. Pra të lejohet qarkullimi i njerëzve, automjeteve pse jo, hapja e lokaleve. Normalisht sipas udhëzimeve.
Kujdesi është të ruajmë një lloj distance fizike. Të mos bëhemi grumbull, të mos jemi më shumë se 2 veta mundësisht, të ruajmë një distancë 1-1.5 metër. Kur hyjmë në mjedise publike, të vendosim një maskë, të tregojmë kujdes për duart, t’i lajmë sa më shpesh.
Të ecim, të ekspozohemi në diell është një gjë shumë e mirë, të pimë lëngje sa më shumë. Por distancomi fizik është i nevojshëm për sa kohë virusi qarkullon”, deklaroi mjeku i njohur, i cili ndodhej në Vlorë.