Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, është shprehur se masat shtrënguese të marra për 8 javë, nuk patën asnjë efekt në Shqipëri, pasi kurba e përhapjes së virusit mbeti e sheshtë. Vasili citon se vendi ynë ka patur një ecuri të sëmundjes, sipas një kurbe të sheshtë.
Ai shprehet më tej se fjala kurbë dhe e sheshtë, është një turp konceptual, një tallje me qytetarët. Në çastin kur kjo kurbë është gjithmonë e sheshtë, Vasili parashtron pyetjen se kush ëhtë efekti i masave të ndërmarra për 8 javë rresht?!
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë dhe qytetare, bëhen plot 8 javë nga 8 marsi, që Shqipëria është mbërthyer në darën e kufizimeve të mëdha, të lirive të veta personale, të lirive të të bërit biznes dhe të mjaft lirive dhe oportuniteteve të tjera. Sigurisht është momenti sot i duhur për të thënë qartë e prerë, se ç’ndodhi në Shqipëri në këto 8 javë, cilat qenë të vërtetat mbi këto 8 javë, çfarë u fsheh në këto 8 javë dhe çfarë u bë në dëm të popullit në këto 8 javë. Ju keni dëgjuar rëndom nga Kryeministri por dhe nga disa profesionistë me status moral dhe profesional sigurisht të kompromentuar rëndë që Shqipëria çuditërisht nga çdo vend tjetër i botës pati një ecuri të sëmundjes sipas një kurbe të sheshtë.
Të nderuar qyterarë, secili nga ju duhet ta ketë shumë të qartë që fjala kurbë dhe e sheshtë është një turp konceptual, është një tallje me qytetarët. Kurba është një lakore pra do të thotë kjo që ju shikoni këtu. Kjo është kurba, ndërsa e shështë do të thotë një gjë e sheshtë. Mali është mal dhe fusha është fushë. Sipas kryeministrit dhe ca që rrinë prapa tij, ndryshe nga çdo vend tjetër Shqipëria e paska pasur sjelljen e virusit fushë. Nuk kemi pasur virus tjetër. Ka rënë i njëjti Covid-19 si në të gjithë botën, Europën, globin e çfarë të doni.
Është fare e qartë që ky është një spekulim i jashtëzakonshëm dhe i patolerueshëm, megjithatë pyetja që do bëjë çdo qytetar dhe unë në emër të qytetarëve bëj këtë pyetje. Në rast se kjo kurbë qenka gjithmonë e sheshtë cili qenka efekti i masave të ndërmarra për 8 javë rresht? Pra në një situatë që as ngrihet as ulet po ka të njëjtat luhatje ç’vlerë dhe ç’kuptim patën masat. Në llogari të kujt vajtën masat, kujt i shërbyen ato? Se qyterarëve dhe pandemisë nuk i shërbyen kjo është e qartë. Pasi një kurbë e sheshtë do të thotë që masat as e ngrenë dhe as e ulin. Pra efekti i masave është në kufijtë e asgjësë. Por çfarë ishtë kjo situatë dhe a mund të kemi kurbë të sheshtë? Sigurisht që jo!
Këtë situatë e sjellin testimet shumë të pakta, minimale, arbitrare. Janë kryer 8 mijë e ca testime në harkun e më shumë se 90 e ca ditëve me një mesatare ditore, më e ulëta që mund të ekzistojë, por më e keqja është që nuk demonstron realitetin. Perkthyer ndryshe, qindra qytetarë të cilët e kalojnë koronavirusin, nuk e dinë që e kalojnë, ia transmetojnë të tjerëve të cilët as ata nuk e dinë që iu është transmetuar pra një situatë jashtë kontrolli. Kjo nuk është strategji.
Kjo është zero strategji. Kjo është të dalë ku të dalë, nuk ka të bëjë me asnjë planifikim, as shkencor, aq më pak teknik dhe aq më pak që lidhet me pandeminë dhe me hapat e drejtpërdrejta që lidhen me të. Sot shqiptarët kanë mundësi pafund të ndjekin median lart e poshtë në botë, sepse këtë mundësi të paktën nuk ua ka kufizuar njëri. Sigurisht unë besoj që kryeministri do donte shumë që të ndalohej dhe radio dhe facebooku, patjetër të ktheheshim në ato ditë kur e diela si kjo e sotmja ka qenë si në kohën e Partisë së Punës, ku sigurisht kishte vetëm Radio Tiranën dhe Televizionin Shqiptar dhe asnjë mundësi tjetër në botë, po këto mundësi sot janë pa fund.
Shqiptarët nuk munden dhe nuk kanë për ta kuptuar dot asnjëherë masat kufizuese që ishin prodhim i neurozës politike të kryeministrit. Neuroza politik e kryeministrit çfarë prodhoi? Që të jemi të qartë me njërit tjetrin, prodhoi kufizime deri në orën 13:00, pra shqiptarëve duhet ti rrënjosej mendimi që deri në orën 13:00, pastaj në 17:30, pra deri në këtë orë virusi është i pa rrezikshëm, po çuditërisht virusi u bëka i rrezikshëm pas orës 1 të drekës apo sot pas orës 5 e gjysmë të masdites, po ka logjike shkencore që e bazon këtë?
Po pse të gjithë vendet e Evropës pa përjashtim mbajtën të gjitha shërbimet bazike, shërbimet për ushqime, artikujt ushqimor, farmacitë i mbajti 24 orë hapur, pikërisht për të evituar dendësimet, Shqipëria bëri të kundërtën, i mbylli farmacitë, i mbylli dyqanet me artikuj ushqimorë, po nuk mbylli ndërtimin, fadromat e ndërtimit vazhdonin, vazhdonin fadromat e oligarkëve, këto ishin kufizimet?
Kufizime do të thotë kufizime drastike, çdo njeri dhe çdo komunitet punonjësish është një potencial i fortë infeksioz, për të mos mbështetur fasoneritë i lanë hapur, duke i kthyer në vatra për tu transmetuar Covidi, çfarë duhet të kishin bërë? Duhet ti kishin mbyllur në çast dhe të kishin bërë paketën e ndihmës për ta, për ti mbajtur në këmbë në mënyrë që këta njerëz të mos kërcënoheshin nga uria, por përkundrazi shpikën regjimin e dyfishtë, ju tjerët brenda, ju tjerët që duheni do rrini përjashta, me ca të shpëtojmë nga fatura që duhet të marrim përsipër, ca tjerëve ti hapim mundësi që miliardat të ecin. Sigurisht që njerëzit nuk munden dhe nuk kanë si ta kuptojnë që pse deri të premten virusi është i padëmshëm dhe të shtunë e të dielë shprehja emblematike e kryeministrit të gjithë brenda në shtëpi, ç’është ky që mbyll njerëzit brenda, ky inkuizitor i lirive dhe inkuizitor i shkencës, shkenca nuk e thotë këtë, shkenca thotë kufizime 24 orëshe proporcionale që radhojnë dendësimin e popullsisë, jo krijojnë mundësinë e dendësimit sepse njerëzit me shume të drejtë në panikun që do të mbyllen 60 orë brenda do të dendësoheshin dhe do të ndodhi dhe po ndodh dhe në këtë moment që po flasim bashkë, në kamerat e televizioneve shikohen plot njerëz që janë nga 4, nga 5 bashkë sepse shqiptarët e kanë dhënë përgjigjen nuk e besojnë këtë situatë, kjo është një situatë thjesht dhe vetëm e një neuroze politike e kryeministrit për të shtyrë hallet dhe ditët politike të tija.
Sigurisht që gjithë kjo zhurmë dhe gjithë këto kufizime u bënë vetëm më një qëllim për të fshehur mungesën e plotë të përgatitjes për pandeminë, fillimi zyrtar i pandemisë të pranojmë atë që thotë qeveria më 8 mars, i gjeti pa rezerva me teste të cilat filluan të prokuroheshin javë më vonë, i gjeti pa rezerva me mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor, gjeti një pjesë dërrmuese të personelit shëndetësor jashtë betejës siç është mjeku i familjes, i cili do të kishte qenë një lehtësues shumë i madh dhe përqendrimin e çmendur antishkencor të një telefonate të vetme të fluksit kombëtar e të gjithë të gjithë interesimin dhe shqetësimit të qytetarëve.
Mbyllja e kufinjve ndodhi ditë më vonë pasi pandemia u shfaq dhe gjendja e fatkeqësisë natyrore pra situata që po pushtohej vendi sipas qeverisë u shpall 2 javë e gjysëm më vonë me kërkesën insistuese të opozitës e cila është masë proporcioanle për një situatë të caktuar dhe e shtrirë në kohë të caktuar për disa javë pra që nuk shkon më shumë se 4 javë.
Sot ka ardhur koha që të ndajmë njëherë e mirë atë që quhet qeveri abuzive e cila shpërdoron pushtetin dhe antiligjin që ka vendosur në anën e saj në dëm të qytetarëve, është shumë e qartë dhe po iua them dhe publikisht në qoftë se pranoni kurbën e sheshtë dhe vazhdoni t’i qëndroni kësaj largoni kufizimet.
Kurbë të sheshtë dhe kufizime nuk mund të bashkëjetojnë me njëra tjetrën.
Në rast se keni të dhëna të tjera, në rast se keni fakte të tjera, në rast se ekzaminime të tjera të cilat nuk doni që t’i bëni publike është momenti që t’i bëni publike dhe të justifikoni kufizimet me të cilat mbahen shqiptarët prej 8 javësh, sot bëhen 8 javë plot.
8 javë të cilat nuk kanë shërbyer për asgjë për të thënë kryeministri rrofsha unë, thotë unë kam bërë shumë mirë, unë ka gjetur strategjinë e duhur ndërkohë që u bindët të nderuar qytetarë që kjo ka qenë një 0 strategji pasi kurba e sheshtë dhe kufizimet janë gjëra që përjashtojnë njëra tjetrën.
Në rast se do të kishin ngjitje masat do të ndikonin që të kishim ulje dhe në rast se kemi të njëjtën gjë masat nuk kanë shërbyer për asgjë.
Kanë shërbyer vetëm e vetëm për të mbyllur gojët, për t’iu imponuar qytetarëve që mos të kërkojnë hesap për mosmarrjen e masave dhe e kanë bërë pikërisht për të shuar të vërtetat e mëdha.
Përfundimisht o kurbë e sheshtë dhe masat duhet të hiqen ose të bëhen publike të vërtetat që justifikojnë 8 javët dramatike, tragjike, shumë të rënda të cilat kanë krijuar premisat e dy pandemive që shoqërojnë këtë vend.
Pandemisë ekonomike e cila ka filluar të japi efektet e veta shkatërrimtare ku mijëra njerëz humbasin vendet e punës dhe pandemisë shëndetësore ku mijëra të sëmurë kronikë përshkak të ç’rregullimit dhe keq menaxhimit të gjithë kësaj pandemie në mënyrën më të ç’organizuar dhe më antishkencore po përballen me lënie pas dore dhe spitalet dhe strukturat spitalore nuk iu përgjigjen dhe me një sistem primar i cili nuk u përgjigjet në kohë pasi është pushtuar nga antistrategjia për Covidin duke krijuar po ashtu premisat e një pandemie të sëmundjeve kronike më të rëndë dhe më vrastare, shumë herë më të rëndë dhe vrastare se sa Covid19.
Pra të nderuar qytetarë do të vazhdojmë të jemi vigjilent dhe të ndajmë me ju qartësisht të vërtetat dhe duke i ndarë ato nga shpërdorimi dhe përdorimi politik i atyre që për ca ditë më shumë në pushtet mund të sakrifikojnë çdo gjë dhe përfshirë këtu dhe jetën tuaj.