Nga: Ervis Iljazaj
Qeveria ka shpallur aprovimin e një amnistie fiskale për të gjithë ata që nuk ka kanë deklaruar të ardhurat e tyre, gjë e cila ka ngjallur një debat të madh në publik. Debati sigurisht ka dy aspekte. I pari aspekti ekonomik, dhe i dyti aspekti moral. Në fakt kjo është një nismë që qeveria shqiptare e ka bërë publike më parë se sa të shpallej gjendja e fatkeqësisë natyrore, dhe duket sikur nga vështirësia ekonomike e momentit ka përshpejtuar vendimmarrjen në këtë drejtim.
Për sa i përket aspektit ekonomik, është e qartë se nëse kjo amnisti do të bëhej siç duhej, me një mekanizëm transparent, i cili do të sillte të ardhura mjaftueshëm për të përballuar krizën ekonomike që po kalon dhe do të kalojë Shqipëria, atëherë kjo është një zgjidhje e pranueshme. Këtë gjë, të ndodhura në vështirësi ekonomike po e mendojnë dhe vende të tjera. Së fundmi Italia, ku po hidhet si ide nga disa zëra të rëndësishëm të ekonomisë për të përballuar krizën e likuiditetit që po kalon.
Mirëpo, në këtë drejtim duhet një llogari e qartë dhe transparente se sa para do të hyjnë vërtetë në arkat shqiptare, dhe sa do ta ndihmojnë ato ekonominë në këtë vështirësi. Deri më tani nuk ka një llogari të përafërt të bërë publike nga qeveria se sa është shifra e pritshme nga kjo amnisti.
Sipas të dhënave të CIA-s, prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë përllogaritet të jetë rreth 25 miliard dollarë, ndërsa ai formal dhe legal është rreth 13 miliard. Pra, sipas këtyre të dhënave një pjesë e madhe e parave që qarkullojnë në Shqipëri janë të padeklaruara.
Por duhet të kemi kujdes, pasi këto para mund të vijnë nga aktivitete kriminale dhe jo të gjitha vijnë nga punë të ndershme por që janë të padeklaruara te tatimet shqiptare. Këto dy forma parash që qarkullojnë janë totalisht të ndryshme. Në këtë kuptim, nga vetë emri amnisti fiskale, këtu nuk bëhet fjalë për paratë e krimit, por paratë që vijnë nga puna dhe sipërmarrja që nuk janë të deklaruara. Megjithëse qeveria shqiptare ka deklaruar se politikanët dhe kriminelët me të drejtë janë përjashtuar nga kjo amnisti, realiteti shqiptar dhe konteksti që ne të gjithë njohim rrezikon seriozisht që të legalizohen dhe paratë e krimit. Madje, kryeministri për mos të krijuar kritika në publik ka gjetur një operacion marketing që e thekson shpesh: “emigrantët të deklarojnë paratë’’.
E bën këtë pikërisht sepse në opinionin publik emigrantët për arsye që të gjithë e dimë janë të pranueshëm për të qenë pjesë e kësaj amnistie. Kur në fakt, amnistia fiskale nuk ka të bëjë me emigrantët, pasi ata nuk besojë se mund ti shtojnë ndonjë vlerë të ardhurave të buxhetit, pasi me punë të ndershme askush nuk është bërë i pasur jashtë kufijve të Shqipërisë. Amnistia fiskale, dhe ku duhet të fokusohet ky operacion nuk është te emigrantët, por te sipërmarrja dhe puna që bëhet në mënyrë informale në Shqipëri, ku mund të mblidhen para të konsiderueshme për të ndihmuar ekonominë shqiptare në këtë kohë krize likuiditeti. Kështu që, se sa efikase do të jetë nga ana ekonomike kjo amnisti mbetet për tu parë. Sepse, nuk duhet të rrezikojmë që të ardhurat të jenë të pakta, dhe të vetmit që mund të përfitojnë të jenë aktivitetet kriminale.
Për sa i përket aspektit moral, ku dhe është debati më i madh, është çështja nëse është e drejtë kjo amnisti duke patur parasysh ata që deri më tani kanë punuar dhe kanë paguar taksat rregullisht, ndërsa disa të tjerë do të falen. Sepse, gjëja e parë që duhet të kemi parasysh është krijimi i një shoqërie të drejtë, të tjerat vijnë më pas. Në radhë të parë duhet theksuar se amnistia është një princip kushtetues. Dhe përderisa ekziston si mundësi në Kushtetutën e Shqipërisë, padyshim që edhe mund të përdoret në raste të caktuara. Fjala amnisti vjen nga greqishtja që do të thotë harresë, dhe që është përdorur prej shumë kohësh si një istitut për arsye politike dhe shoqërore të caktuara, për të ndërtuar një lloj paqeje sociale të munguar. Në këtë kuptim, edhe amnistia fiskale si amnistia e disa veprave penale të tjera, ka hapësirë që të përdoret edhe në Shqipëri.
E drejta është një konvencion shoqëror. Në këtë kuptim, ajo ndryshon sipas kontekstit dhe momentit duke ndihmuar shoqërinë dhe bashkëjetesën. Vetëm e drejta e Zotit është një dhe e pandryshueshme. Të gjitha normat dhe ligjet e njeriut ndryshojnë dhe përcaktojnë se çfarë është e drejtë në varësi të momentit shoqëror. Prandaj çfarë është e moralshme apo jo, është një çështje gjithmonë e hapur dhe e diskutueshme.
Në filozofinë e së drejtë ekzistojnë dy tipologji të drejtash. E drejta kategorike, e cila duhet zbatuar dhe pikë, pavarësisht pasojave që sjellë. Dhe e drejta si pasojë, e cila duhet zbatuar sipas pasojave që sjell. Po të marim tipologjinë e parë, amnistia fiskale duhet të mos bëhet dhe pikë, sepse në mënyrë kategorike është e pamoralshme, pasi bëhet fjalë për njerëz që nuk kanë zbatuar ligjin. Po të marim kategorinë e dytë, duhet të bëjmë një vlerësim, nëse amnistia i sjellë më shumë dëme apo të mira Shqipërisë.
Këto dy parime kanë ardhur nga Roma antike ku bazoheshin dy filozofi. E para, bota të shëmbet po drejtësia të bëhet, e cila në rastin tonë përkthehet “le të vuajë Shqipëria për para, por amnistia të mos bëhet’’. Dhe parimi i dytë, të gjejmë një zgjidhje pragmatike dhe bota të mos shëmbet e shoqëria të ecë përpara.
Në këtë kuptim, amnistia fiskale në Shqipëri duhet diskutuar në këtë rrafsh, dhe duhen hedhur në tryezën e debatit të gjitha cështjet, pasi nuk është zgjidhje refuzimi apriori i njërit apo tjetrit opsion. Por, është ë qartë se këto diskutime bëhen me llogari kosto përfitim, me transparencë dhe përgjegjësi maksimale. Elementë të cilët, deri më tani nuk i kemi parë nga qeveria shqiptare. /Gazeta Liberale