Nga: Jonas Dringelis “Eurasianreview”
Udhëheqësit politikë botërorë, përqendrohen zakonisht tek “kërcënimet” strategjike, ndërsa harrojnë rreziqet “natyrore”. Dhe rezultati është një dilemë tërësisht e pamoralishme, midis shpenzimeve ushtarake dhe mirëqenies së njerëzve.
Kriza aktuale e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, na ka treguar mësë miri, se cilat duhet të jenë përparësitë tona reale këtej e tutje. Militarizimi është rruga e gabuar që ka ndjekur bota, pasi ai ushqen vazhdimisht tensionet midis shteteve, dhe rrit potencialin për luftëra dhe konflikte.
Emergjenca aktuale, është një nga çështjet më jetike të epokës sonë, dhe do të sjellë një ndryshim të madh dhe të vërtetë mbi stabilitetin dhe sigurinë në botë.
Liderët botërorë, duhet ta vendosin çarmatimin dhe paqen në qendër të hartimit të politikave të tyre. Ata duhet të hartojnë një axhendë të re për çarmatimin, që të përfshijë gjithashtu edhe ndalimin e armëve bërthamore.
Shpenzimet vjetore ushtarake në botë, janë aktualisht rreth 1.8 trilionë dollarë. Ndërkohë, 1 trilionë dollarë do të shpenzohen vetëm për armët e reja bërthamore gjatë 20 viteve të ardhshme.
Aktivistët kundër luftës, kanë ngritur shqetësime në lidhje me përgatitjen e Shteteve të Bashkuara për një konflikt të mundshëm bërthamor. Sipas mendimit të tyre, konflikti i madh ushtarak, për të cilin po përgatitej edhe stërvitja e madhe ushtarake “Defender-Europe 20”, nuk do të ndodhë kurrë.
Një përplasje e armatosur midis NATO-s dhe Rusisë, do të ishte në mënyrë të pashmangshme bërthamore. Dhe viktimat e këtij konflikti do të ishin banorët e Evropës, përfshirë shtetet e Balltikut. Kështu më 25 shkurt 2020, gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Senatit të Shteteve të Bashkuara për Shërbime të Armatosura, gjeneral Tod Uollters, komandant i Komandës Evropiane të SHBA-së, dhe Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s Evropë, deklaroi:“Forcat bërthamore, janë garancia supreme e sigurinë e aleatëve, dhe diktojnë çdo operacion ushtarak amerikan në Evropë!”.
Kjo do të thotë me siguri që “Defender-Europe 20”, nuk është vetëm një stërvitje e forcave konvencionale, por edhe i atyre bërthamore. Bota ndodhet në një gjendje të vazhdueshme lufte. Dhe kjo nuk është diçka e rastësishme.
Përfituesit më të mëdhenj të konflikteve të armatosura, janë industria e korporatave të prodhimit të armëve, në dëm të njerëzimit dhe nevojave shoqërore. Disarmatimi, është çelës kryesori për transformimin e madh të ekonomive tona, në të cilat duhet që të zgjidhen pa humbur sfidat ekologjike, dhe arritur drejtësia shoqërore globale.
Ne i harxhojmë aktualisht paratë tona në armatime vdekjeprurëse. Por do të përfitonim shumë më tepër, duke i investuar ato në ekologji dhe kujdes shëndetësor për njerëzit. Ky duhet të jetë synimi i mbarë njerëzimit. Ne nuk kemi shumë kohë për të provuar dhe ndryshuar qasje.
Prioriteti i të gjitha qeverive, duhet të jetë përmirësimi i kushteve të jetesës, kujdesit shëndetësor, strehimit, arsimit, mjedisit të shëndetshëm, dinjitetit të jetës për qytetarët e tyre. Bota duhet të punojë tani së bashku për sigurinë e ardhshme të mirëqenies shëndetësore, dhe për t’i dhënë njëherë e mirë fund të gjitha konflikteve.
Ne duhet të kuptojmë, se burimet e botës duhet të ridrejtohen nga prodhimi i armëve, në plotësimin e nevojave të të gjitha qenieve njerëzore dhe jetës së gjallë të planetit tonë.
Shënim/ Jonas Dringelis është redaktor në gazetën ”The Baltic Word”.
TIRANA TODAY