Duke marrë shkas nga situata alarmante që koronavirusi ka shkaktuar në të gjithë botën, ka reaguar edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Në një fjalim të rrallë televiziv, Putin i kërkoi qytetarëve që të tregohen të përgjegjshëm dhe të qëndrojnë në shtëpi.
“Ajo që po ndodh sot në Evropë dhe përtej oqeanit, mund të kthehet në të ardhmen tonë të afërt. I bëj thirrje qytetarëve të vendit të mos mbështetemi tek fati. Ju lutem mos mendoni: ah, kjo s`do të më ndodhë mua! Ky virus mund të prekë këdo. Duhen respektuar të gjitha rregullat. Është e domosdoshme të mbrojmë veten dhe njerëzit tanë të dashur. Besomëni, gjëja më e sigurtë për t`u bërë tani është të qëndroni në shtëpi”, tha Putin.
Ndërkohë shpërthimi i koronavirusit në Rusi, ka bërë që Putin të shtyjë edhe votimin e shumëdëshiruar prej tij të ndryshimeve kushtetuese. Ndryshim ky që do t’i mundësonte qëndrimin më gjatë në pushtet.
Votimi ishte parashikuar të mbahej në 22 prill, por tani do të shtyhet për “një datë të mëvonshme” të pacaktuar.
Mandati aktual i Putin përfundon në vitin 2024, teksa Kushtetuta aktuale ruse nuk e lejon të garojë mandatin e tretë radhazi.
Por me ndryshimet e fundit, ai mund të kërkojë një mandat tjetër 6-vjeçar.
Deri më tani në Rusi, vetëm një person ka ndërruar jetë nga koronavirusi, ndërsa raportohen më shumë se 650 raste infektimi.