Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me mesazhin e pretenduar të dërguar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha në adresë të gazetares Eni Vasili.
Përmes një postimi në Facebook, Gazment Bardhi ka publikuar letrën e kompanisë private ku theksohet se mesazhi është dërguar nga një platformë e huaj dhe ku është vendosur si identitet numri i kreut të opozitës.
Më tëj në shkresë thuhet se SMS-ja nuk është gjeneruar nga numri i klientit, Lulzim Basha.
“SMS nuk është dërguar nga Lulzim Basha apo nëpërmjet sistemit të kompanisë celulare. SMS është dërguar nga një platformë e huaj SMS në internet për dërgimin e SMS-ve, jashtë rrjetit të kompanisë celulare”, thuhet në letrën e kompanisë celulare.
Postimi i plotë:
E vërteta është më e qartë dhe e pastër se çdo lojë e pisët apo maskë e skaduar. Le ta shohin dhe gjykojnë vetë shqiptarët se kush e ka mendjen tek pushteti dhe përdor mesazhe të sajuara kundër kreut të opozitës. Me qëllimin e vetëm, të largojë vëmendjen nga propozimi ynë që ndihmon realisht qytetarët dhe biznesin për të përballuar krizën.