Pandemia e koronavirusit do të ketë një ndikim negativ në ekonomitë në rajonin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), por rimëkëmbja mund të jetë e fortë pasi të frenohet përhapja e tij, sipas ekonomistëve të Bankës.
BERZH, e cila investon në 38 ekonomi në zhvillim në tre kontinente, ka filluar një paketë solidariteti emergjente me vlerë 1 miliardë euro për të mbështetur kompanitë në vendet e saj që vuajnë për shkak të krizës.
Parashikimet më të hollësishme ekonomike për rajonet e BERZH do të jepen në fund të marsit.
Sipas ekonomistëve të BERZH-it, ndikimi aktual dhe i pritshëm i koronavirusit po jep efekt në furnizimin dhe kërkesën njëkohësisht.
Ndikimi final ekonomik do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë, si dhe nga reagimi i politikave nga autoritetet kombëtare dhe qeveritë në tregjet kryesore të eksportit.
Vendet janë prekur drejtpërdrejt nga masat e shëndetit publik të vendosura për të luftuar virusin, si dhe nga masat paraprake të marra nga individët.
Përpjekjet për të frenuar përhapjen do të çojnë në konsumin më të ulët të shërbimeve, siç janë restorantet, argëtimi, dhe në një farë mase transporti.
Ato gjithashtu do të ndikojnë negativisht në konsumin shtëpiak të mallrave. Për më tepër, familjet mund të shtyjnë vendimet për blerje për shkak të pasigurisë së krijuar nga pandemia.
Ndërsa ulet kërkesa, shumë firma, veçanërisht NVM, mund të pësojnë një rënie të mprehtë të të ardhurave, duke pasur probleme me likuiditetin e tyre. Firmat e lidhura me zinxhirin e ekonomisë do të regjistrojnë kufizime më të larta të likuiditetit, duke rritur rrezikun e falimentimit.
Kjo mund të lehtësohet nga sektori bankar, i cili mund të lejojë pagesa të vonuara, dhe kjo varet nga shëndeti i sektorit bankar, si dhe masat e krizës të vendosura nga autoritetet.
Në një skenar më të rëndë të një krize të zgjatur, një numër ndërmarrjesh mund të zgjedhin largimin e punonjësve.
Efektet indirekte në ekonomitë e BERZH përfshijnë prishjen e zinxhirëve të furnizimit global, kërkesën e dobët të huaj, çmimet më të ulëta të naftës dhe të mallrave dhe rënie të gjerë rajonale në turizëm dhe udhëtime.
Fluksi i dërgesave në disa vende të BERZH-it mund të bjerë ndjeshëm nëse emigrantët humbasin punën e tyre ose nuk mund të udhëtojnë./Monitor