Sot disa media shqiptare dhanë lajmin e një shqiptari të infektuar me koronavirus në Itali, edhe pse titujt të bënin të dyshoje se bëhej fjalë për një rast në vendin tonë.
Në fakt, shqiptari nga Kuçova ndodhet në Codogna dhe familja e tij ka konfirmuar për “Ora News”, se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se për momentin është i shtruar në spital.
“Konfirmohet rasti i një shqiptari me koronavirus në Itali. Kam pasur kontakt me të afërm të tij. Është nga Kuçova dhe banues në Codogna i cili për disa ditë është i shtruar në spital, por familjarët më thonë se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ishte e paevitueshme duke marrë parasysh se shumë shqiptarë jetojnë në Itali”, konfirmoi gazetarja Alba Kepi.
Gazetarja informon se Italia e ka të pamundur ta përballojë situatën duke marrë parasysh stafet mjekësore. Kryeministri i vendit Giuseppe Conte firmosi një dekret të ri masash pasi ditën e djeshme janë konfirmuar rreth 1300 raste të reja me koronavirus.
“Situata është vërtetë shqetësuese. Në Itali ka hyrë në fuqi dekreti i firmosur nga kryeministri Conte. Janë masa drastike janë mbyllur të gjitha institucionet e kulturës, të gjitha objektet sociale dhe janë anuluar të gjitha eventet. Shihet mjaft qartë në rrugët italiane ku nuk ka qytetarë. Italia e ka të pamundur ta përballojë duke marrë parasysh stafet mjekësore”. /Ora News