Nga: Alfred Peza
Ajo që i bashkon të dyja zhvillimet më të rëndësishme politike të organizuara nga lidershipi kryesor i opozitës shqiptare në dy vitet e fundit, është se ato u ngritën mbi skenare konspirative, për të fshehur prapa tyre qëllimin e vërtetë të organizatorëve.
Gjatë vitit të shkuar për të injektuar artificialisht një krizë politike në sistemin politik të vendit, me qëllim rrëzimin e Edi Ramës dhe rikthimin e opozitës në pushtet për të bllokuar e zhbërë reformën në drejtësi, Lulzim Basha mori flamurin e udhëheqësit të asaj që ata e pagëzuan me emrin; “revolucion popullor”.
Ndërsa përgjatë këtij viti, me qëllim që të parandalojë shkarkimin e Presidentit të Republikës përmes një procesi të iniciuar nga mazhoranca Parlamentare, Ilir Meta ka marë flamurin e udhëheqësit të rezistencës kundër asaj që ai e ka quajtur “grusht shteti” i Edi Ramës, përmes “kapjes” së Gjykatës Kushtetutese, që do i vendosi edhe vulën këtij akti.
Në të dyja rastet ëshë folur në emër të popullit, për të justifikuar lënien e institucioneve për të cilat janë mandatuar dhe daljen e tyre në rrugë në lëvizje që i kanë inskenuar vetë. I kanë organizuar vetë. I kanë thirrur vetë. E u kanë caktuar ditën, orën dhe vendin e zhillimit të tyre vetë, në mënyrë që në fund, ti udhëheqin sigurisht po vetë.
Gjatë 2019 termi i përdorur prej tyre; “revolucion popullor”, ishte fake. Për aq kohë sa ai që tentuan të realizonin, nuk ishte as revolucion dhe aq më pak popullor. Për aq kohë sa u nxit nga lart, për të tensionuar artificialisht situatën politike në vend. “Revolucioni” nuk buroi nga qytetarët, si çdo revolucion tjetër në historinë e njerëzimit, të cilat nuk udhëhiqet nga elita e rrëzuar me vote. Por nga qytetarët e revoltuar, që kërkojnë zëvendësimin e elitave dhe ndryshimin e sistemit, e jo thjeshtë dhe vetëm ndërrimin e kuajve të karrocës së pushtetit.
Ndërsa termi “grusht shteti” i përdorur tashmë gjatë 2020, është fake gjithashtu. Për aq kohë sa ajo që po zhvillohet në emër të tij, nuk ka lidhje, as me përkufizimin teorik dhe as me praktikën historike. “Grushti i shtetit” do të ishte i vërtetë nëse një grup i rebeluar, do rrëzonte në mënyrë të menjëhershme përmes dhunës ushtarake apo grupeve të armatosura, qeverinë e për të instaluar në vend të saj, një juntë ushatarake. Ilir Meta për këtë akuzon sot Edi Ramën. E në këto kushte, kjo do të thotë se ai duhej të rrëzonte Kryeministrin. Pra, Edi Rama si Kryeministër, të rrëzojë veten e tij.
Kaq mjafton për të kuptuar se as Lulzim Basha, as Sali Berisha, as Ilir Meta e as Monika Kryemadhi nuk ia kanë vendosur emrin e vërtetë asaj që duan të realizojnë në emër të “revolucionit popullor”, apo në emër të “grushtit të shtetit”.
Pavarësisht emrave të ndryshëm, të dyja në thelb janë të njëjtë, për aq kohë sa burojnë nga të njëjtët politikanë, nxiten nga të njëjtët udhëheqës, ushqehen prej tyre e në fund të fundit, edhe përfitimet politike që duan të nxjerrin, do ti shijonin vetëm për vete nëse ato do të realizoheshin. Në të dyja rastet populli, qytetarët dhe në tërësi shqiptarët kanë qenë thjeshtë spektatorë të këtyre zhvillimeve. As aktorë, e as faktorë. As regjisorë, e as udhëheqës. E jo më inicues e përfitues.
Të shqetësuarit e vetëm në të gjithë këtë histori, qoftë gjatë “revolucionit popullor” ashtu edhe gjatë këtyre ditëve kur ka filluar të vihet në skenë shfaqja e radhës me emrin “grusht shteti”, kanë qenë të njëjtët. Kanë qenë vetëm një grusht udheheqësish të opozitës, ato që e kanë ushqyer këtë lojë në mënyrë virtual, përmes propogandës së tyre.
Besoj se të gjithë e kujtoni sesi u zhvillua, sesi u ushqye, sesi erdhi vërdallë, sesi zjarrmoi, sesi kulmoi dhe sesi u zhbë vetëm me një telefonatë nga përtej oqeanit, “Revolucioni popullor” i zgjedhjeve të 30 Qershorit. Për të vijuar më pas me humbjen për herë të parë në 30 vitet e fundit të të gjitha llojeve të pushteteve nga ana e opozitarëve, të cilët kuptuan se e gjitha ishte një lojë e të mëdhenjve në kurriz të tyre, për hallet e veta personale. E si të mos kishte ndodhur asnjëherë asgjë, të gjithë u ulën “si qingja” në tryezën e reformës elektorale në fillim të këtij viti, pasi e kishin abandonuar e refuzuar atë prej më shumë se një viti.
E nëse do ju duhet që të projektoni në kohë e në hapësirë, mënyrën e zhvillimeve që do të nisin pas 2 marsit përgjatë 2020 nën drejtimin e Ilir Metës, në emër të çmontimit të “grushtit të shtetit”, mjafton që të bëni paralelen me “revolucionin popullor” të Lulzim Bashës gjatë 2019. Për të kuptuar se fundi i tyre do të jetë i njëjtë. Me të vetmin ndryshim, se ata që u nisën për të rrëzuar Edi Ramën, në përfundin të kësaj, do të nisin luftën për lidershipin e opozitës, duke dashur që të rrëzojnë njëri- tjetrin.
Ky është fundi i pashmangshëm i të gjitha kauzave të rreme në politikën shqiptar, përmes të cilave liderët tregojnë një skenar të rremë, ndërkohë që realiteti është krejt tjetër. Mjafton ti shihni sesi përbetohen se po luftojnë për qytetarët, sesi flasin në emër të popullit, duke dashur që ta shesin hallin e tyre personal si një hall të madh kombëtar. Për të kuptuar në fund, se pavarësisht se ia vendosin emrin “revolucion popullor” apo “grusht shteti”, në fund qëllimi është i njëjtë: Të rikthehen sa më parë në pushtet!