Një 19-vjeçar në Durrës ka përfunduar në pranga pasi lëvizte me armë zjarri me vete.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës në bashkëpunim me forcën “Shqiponja”, pas informacioneve të marra se në ambientet e një lokali ndodhej një person i armatosur, organizuan punën dhe menjëherë shkuan në adresën e dhënë.
Si rezultat i ndërhyrjes profesionale nga ana e shërbimeve të Policisë u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A.K.,19 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i gjetën në trup një armë zjarri pistoletë “Ekol” të cilën e mbante pa leje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vite burg”, thuhet në njoftimin e policisë.