Kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kreu i grupit parlamentar i PS-së Taulant Balla, kanë zhvilluar një takim me Drejtorin e Fondit Saudit për Zhvillimin, Khaled bin Sulaiman Alkhudairy.
Gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite, Ruçi dhe Balla theksuan se ky shtet do të zgjerojë mbështetjen jo vetëm për rindërtimin, por edhe në projekte të mëdha zhvillimore.
Ky Fond i ngritur nga Mbreti i Arabisë Saudite ka financuar në Shqipëri disa projekte infrastrukturore shumë të rëndësishme.
“Sfida dhe angazhimi ynë janë projektet e rindërtimit dhe të ringritjes pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re. Po ashtu deri në gjysmën e parë të vitit, duhet të kemi ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja. Kemi më shumë se 14 mijë familje që duhet t’i rikthejmë në shtëpitë e tyre të reja.
Po ashtu kemi shumë shkolla, kopshte, spitale, qendra shëndetësore të dala jashtë funksioni, të cilat duhet të rindërtohen. Ne jemi të angazhuar që në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara, duhet ta nisin mësimin në shkolla të reja”, nënvizoi Ruçi.
Drejtori i Fondit Saudit për Zhvillim u shpreh se Arabia Saudite do të zgjerojë mbështetjen për Shqipërinë jo vetëm në projektet për rindërtimin pas tërmetit të 26 Nëntorit, por edhe mbështetje financiare në projekte të mëdha zhvillimore.
“Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Kryeministrin Rama dhe me qeverinë shqiptare, si partnerë shumë të besueshëm e që çdo financim nga ana jonë ka garancinë e duhur në seriozitetin e treguar nga qeveria juaj. Prandaj ne kemi vendosur të miratojmë çdo projekt që do të propozohet nga ana juaj”, u shpreh Drejtori i Fondit Saudit.