Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e ka cilësuar një takim të frytshëm takimin me delegacionin e Komisionit të Venecias.
Gjatë një prononcimi për mediat pas takimit, Basha pohoi se vendi është në kolaps total, pasi sipas tij të drejtat e qytetarëve janë të kërcënuara. Basha përsëriti kërkesën e opozitës për vendosjen e një qeverie teknike, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Takimi me ekspertët ishte i frytshëm. Shqipëria është në krizë kushtetuese dhe politike. Këto janë lëvizje të çoroditura të një pushteti. Po merren masa për kapjen e drejtësisë. Kjo ka çuar vendin në kolaps total. E drejta e qytetarëve është e kërcënuar. Republika e Shqipëria nuk është e qytetarëve, por e oligarkëve. Sot ata kanë kapur shtetin.
Zgjidhja që kërkojmë se kërkojmë për veten. Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur rrugë një zgjidhje politike për shqiptarët. Nëse ata do të vazhdojnë të përdorin në mënyrë të paligjshme paratë e pista dhe të vendos interesat e pushtetit të vet dhe të oligarkëve kundër qytetarëve, atëherë opozita dhe qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqëria europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin”, tha Basha.
Në takim ndodhej edhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi dhe ish-deputeti Oerd Bylykbashi.
Më tej ditën e sotme, pritet që delegacioni i Venecias të takohet me kreun e KED-së, Ardian Dvorani.