Policia e Shtetit njofton se ka parandaluar një krim të mundshëm në Vorë. Sipas njoftimit, shtetasi i identifikuar si S.B. ka dhunuar dhe kërcënuar bashkëshorten me armë. Sapo kanë marrë njoftimin, blutë janë nisur drejt banesës së çiftit.
Mësohet se 66 vjeçari është vënë në pranga si dhe është sekuestruar arma.
Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiran, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Vorë, Tiranë
Policia parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në familje.
Kërcënoi me armë për ta vrarë bashkëshorten, por falë ndërhyrjes në kohë të Policisë u vu në pranga 66-vjeçari.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, me një krehër me fishekë.
Shërbimet e Policisë Vorë, pas njoftimit të marrë se në fshatin Domje, Bashkia Vorë, në ambientet e banesës, shtetasi S. B. po dhunonte psikologjikisht bashkëshorten e tij duke e kërcënuar me armë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës dhe ngjarjen e mundshme kriminale.
Shërbimet e Policisë kanë prangosur shtetasin S. B., 66 vjeç, banues në fshatin Domje, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, me të cilën ky shtetas e kërcënonte për ta vrarë bashkëshorten e tij, 63-vjeçaren L. B.
Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.