Nga: Ervis Iljazaj
Që nga 2017, marrëveshjet midis Ramës dhe Bashës shihen me skepticizëm, si një pazar, dhe ku gjithmonë del fitimtar Edi Rama. Për hir të vërtetës, jo të gjitha këto opinione janë të pabaza, duke parë se si shkoi marrëveshja e 17 majit midis Bashës dhe Ramës. Edhe kesaj herë, sapo opozita mori pjesë në tryezën e reformës zgjedhore, aq me tepër pas nje viti të aksionit opozitar radikal, me djegie mandatesh dhe bojktotim të zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe ku opozita u përbetua se s’do të merrte pjesë në zgjedhje me Ramën kryeministër, kritikat vërshuan ndaj Lulzim Bashës.
Akuzat ishin të tipit se tradhtoi kauzën opozitare, se ju nënshtrua pushtetit të Edi Ramës, apo se këtë tryezë e kishte edhe një vit më parë, kështu që nuk ishte nevoja për të djegur mandatet.
Ky gjykim, është një gjykim i shpejtuar, pasi askush nuk e di se çfarë do të dalë nga ajo tryezë, dhe se çfarë garancish shtesë do të marrë opozita për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për të dhënë një gjykim, duhet të presim muajin mars kur të dalë produkti i kësaj marrëveshje. Në këtë kuptim, marrëveshja midis opozitës dhe mazhorancës nuk përbën asnjë problem për të gjykuar nëse opozita ka vepruar drejtë apo jo, rëndësi ka se çfarë produkti do të dalë nga ajo. Për këtë gjë duhet të presim deri në mars.
Së dyti, ulja e opozitës duhet parë në një kontekst të ri ku ndodhen ngjarjet politike sot. Një kontekst i cili është totalisht i ndryshëm nga ai i para 30 qershorit. Prandaj, ulja në tryezë me mazhorancën nuk është një inkoherencë, por një konteskt totalisht i ndryshëm.
Për një vit me radhë, aksioni opozitar sensibilizoi opinionin publik për disa nga kauzat e saj më të rëndësishme, të cilat tashmë janë ngulitur në memorien kolektive. Djegia e mandateve mund të konsiderohet një fushatë elektorale e gjatë. Në këtë kuptim, opozita i ka disa arritje. Prandaj, argumentat se opozita e kishte tryezën zgjedhore edhe para një viti dhe s’kishte pse të sillej në këtë mënyrë, janë argumeta që nuk qëndrojnë. Politika ka strategjitë dhe taktikat e saj për të arritur qëllimin.
Edhe për faktin se nëse do të gjykonim politikanët nga koherenca e veprimeve dhe fjalimeve, me shumë mundësi 70 përqind e tyre në të gjithë botën do të ishin larguar nga politika. Prandaj, Një veprim politik ka kuptim në momentin e duhur dhe në kohën e duhur.
Përtej të gjitha këtyre arsyeve, egziston dhe një arsye tjetër se përse opozita nuk duhet paragjykuar për uljen e saj me mazhorancën, dhe s’ka përse të kompleksohet për këtë veprim. Të gjithë ata që kërkojnë revolucionin e opozitës, nuk marrin parasysh një elementë të rëndësishëm. Opozita mund të bëjë revolucion vetëm me një kusht. Vetëm nëse i shpall luftë Shteteve të Bashkuara dhe BE-se, gjë e cila është totalisht e pamundur, jo vetëm për pamundësinë, por edhe për faktin se Partia Demokratike është një parti tërësisht perëndimore, dhe s’mund të bjerë pre e konfliktit me ShBA-në.
Që në krye të herës, opozita shqiptare kur dogji mandatet nuk i bëri llogaritë me qëndrimet e ndërkombëtarëve në Shqipëri, të cilët nuk mund ta mbështesnin kurrsesi një veprim të tillë, pasi për nga natyra diplomacia është formale dhe procedurale.
Edhe kjo tryezë nga të gjitha të dhënat ishte një tryezë e mundësuar nga ndërkombëtarët për të filluar zbatimin e kushteve të Bundestagut, të cilat mund të konsiderohet dhe një fitore e opozitës.
Prandaj, vazhdimi i opozitës në konflikt me aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë do të ishte një vetasgjësim i saj. Duam apo s’duam ne, ndërkombëtarët në Shqipëri për shumë arsye vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishëm.
Kështu që, kritikat e inkoherencës së opozitës bëhen vetëm nga ata që nuk e njohin as politikën dhe as kontekstin e ri që është krijuar. Në politikë, akti i fundit i koherencës është lufta./Gazeta Liberale