Në Evropë ndodhen disa prej qyteteve më të famshëm dhe më të bukur në botë. Çdo vit aty shkojnë miliona turistë nga e gjithë bota, për të parë monumentet më të famshme historike. Prandaj nuk është e habitshme, që disa nga destinacionet më të njohura turistike në kontinent sikurse është Parisi, janë edhe më të shtrenjtat. Raport i “Statista.com”, rendit qytetet më të shtrenjta në Evropë, bazuar në koston e marrjes me qira të një apartamenti të ri.
- Parisi
Kryeqyteti francez është më i shtrenjti në Evropë. Qyteti është një destinacion popullor për shumë turistë të thjeshtë, por edhe vip-a, për shkak të monumenteve të tij të shumta arkitekturore dhe vendeve historike. Përveçse që ka qiranë më të lartë në Evropë, mesatarja 2.535 euro në muaj, ai ka një kosto të lartë edhe për ushqimet, argëtimin dhe shërbimet.
- Londra
Qiraja mesatare mujore për një apartament në Londër në vitin 2018 ishte 2.263 euro. Qyteti është një destinacion shumë i preferuar, për shkak të ndërtesave historike, modës, artit, opsioneve të ndryshme të argëtimit dhe kujdesit shumë të mirë shëndetësor në spitale. Rënia e vlerës së paundit britanik pas votimit pro Brexit, e ka ulur disi koston e një apartamenti që merret me qira nga të huajt.
- Luksemburgu
Këtu ndodhet selia e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme, që shkojnë atje në kërkim të peisazheve të gjelbra. Kostoja mesatare mujore e marrjes me qira të një apartamenti është 2.203 euro. Kostoja e jetesës është më e lartë, krahasuar me shumë nga fqinjët. Nuk është e pazakontë që vendasit të shkojnë përtej kufijve, në Belgjikë, Gjermani dhe Francë, për të blerë pajisje elektrike dhe mallra luksoze.
- Dublini
Qiraja mesatare mujore e një apartamenti në kryeqytetin e Irlandës është rreth 2.059 euro. Ai është bërë një nga kryeqytetet më të shtrenjta të kontinentit, për shkak se aty kanë zhvendosur selitë e tyre shumë nga kompanitë e mëdha të teknologjisë së informacionit. Qyteti është i famshëm për shkrimtarët e tij dhe banorët miqësorë. Ndërkohë, kostoja e ushqimit dhe pijeve është gjithashtu e lartë, gjë që e bën shumë sfiduese jetën për studentët e huaj.
- Helsinki
Qiraja mesatare mujore e një apartamenti është 1.821 euro. Argëtimi dhe produktet ushqimore në kryeqytetin finlandez, janë gjithashtu shumë të shtrenjta. Në qytet ka shumë supermarkete, ku dikush mund të zgjedhë të bëjë pazar.
- Oslo
Kostoja e marrjes me qira të një apartamenti është 1.812 euro. Kryeqyteti norvegjez tërheq shumë profesionistë që kërkojnë punë, por dhe investitorë, të cilët synojnë të rrisin pasurinë e tyre. Qyteti është i njohur për tregtinë dhe industritë detare. Disa nga kompanitë më të mëdha të transportit detar, kanë selitë e tyre në këtë qytet. Oslo renditet ndërkohë nga të parët për cilësinë më të mirë të jetesës në mesin e qyteteve evropiane. Por sigurisht që këto i përfiton me një kosto relativisht të madhe.
- Kopenhagë
Qiraja mesatare për një apartament shkon për 1.658 euro. Kryeqyteti i Danimarkës, evuloi nga një fshat viking i shekullit X-të. Ai ka një histori të pasur. Pasi u përball me epideminë e Murtajës dhe zjarret në shekullin XVIII-të, qyteti iu nënshtrua rizhvillimit, që përfshiu themelimin e Teatrit Mbretëror, Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura dhe ndërtimin e Frederiksstaden, një kompleks pallatesh madhështore. Qyteti ka aktualisht një nga rritjet më të shpejta në Evropë. Dyndja e madhe e njerëzve dhe rritja ekonomike, ka çuar në një rritje të kostos së jetës.
- Amsterdami
Kryeqyteti i Holandës, ka një indeks të lartë çmimesh prej 182, çka do të thotë se banorët duhet të shpenzojnë 82 për qind më shumë, në krahasim me ata që jetojnë në qytetin që merret si referencë në botë. Në vitin 2018, kostoja e marrjes me qira të një apartamenti në këtë qytet ishte mesatarisht 1.531 euro. Edhe kostoja e ushqimit dhe veshjeve, është mjaft e lartë në krahasim me qytete të tjera evropiane.
- Stokholmi
Kryeqyteti i Suedisë, ka një PBB shumë të lartë. Ai tërheq shumë profesionistë, diplomatë dhe investitorë. Për këtë arsye, ka një nga kostot më të larta të jetesës në kontinent. Banorët zakonisht shpenzojnë 29 për qind më shumë për veshje dhe 1 për qind më shumë për transport, sesa banorët e Nju Jorkut. Një vakt në një restorant për 2 persona kushton rreth 262 euro, ndërsa marrja me qira e një apartamenti kushton rreth 1.480 euro.
- Moska
Kostoja e marrjes me qira të një apartamenti në kryeqytetin rus ishte në vitin 2018 rreth 1.380 euro, shumë më e lartë se në qytetet e tjera ruse, përfshirë Shën Petersburgun. Në varësi të xhepit tuaj, ju mund të zgjidhni midis apartamenteve luksoze që janë shumë më të shtrenjta, apo edhe banesave më modeste që janë më të përballueshme financiarisht. Ndërkohë diferencat më të mëdha në çmime, vërehen tek ushqimi dhe pijet. Ka restorante ku ushqimi është i mbivlerësuar, dhe të tjerë ku dikush mund të hajë një vakt të mirë me një çmim relativisht të ulët./TIRANA TODAY