Ka ndërruar jetë ditën e sotme sulltani i Omanit, Qaboos bin Said al Said.
Al Said, i cili ishte lideri politik me pushtetin më të gjatë në botën arabe ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare. Mediat e huaja bëjnë me dije se pozitën e tij do ta marrë kushëriri i tij, Haitham bin Tariq al-Said, pasi sulltani nuk kishte fëmijë.
Sipas statutit të vitit 1996, familja në pushtet duhet të zgjedhë një pasardhës ose emri duhet të vijë nga një zarf i mbyllur, i lënë nga udhëheqësi. Në bazë të kushtetutës së vendit, sulltani duhet të jetë pjesëtar i familjes mbretërore, mysliman, i pjekur, racional dhe i biri i dy prindërve omanas.
Sulltani Al Said ka qenë në krye të Omanit që prej vitit 1970, kohë kur babai i tij ra nga pushteti për shkak të një puci paqësor. Ai është trajtuar mjaft herë për shkak të kancerit dhe sapo ishte kthyer nga një spital i Belgjikës.