Prokuroria e Tiranës dha pretencën tri ditë më parë për të akuzuarit për “kallëzim të rremë” në bashkëpunim në të quajturën dosja “Babale”. Për ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji është kërkuar dënim 1 vit e 6 muaj burg. Ndërsa një tjetër prokuror kërkoi 3 vjet shërbim prove.
I ftuar këtë të hënë në “A2”, Salianji ka komentuar pretencën e dhënë nga Prokuroria, për të cilën tha se nuk ka asnjë provë deri më tani. Sa i përket përfshirjes së tij në këtë çështje, ish-deputeti demokrat theksoi se ndihet i privilegjuar që është targetuar në këtë situatë.
“Ndjehem po njësoj, pasi përveç fjalëve nuk ka fare prova. Ndjehem edhe më i vlerësuar pasi jam targetuar unë në të gjithë këtë situatë apo në këtë korrupsion të Shqipërisë në 30 vite, ku zgjidhet një politikan, i cili denoncon dhe padiskutim që përmend dhe turbullon ujëra me emër dhe me mbiemër dhe me fakte konkrete.
Në këtë kuptim nuk kam asnjë kompleks që ta them ndjehem i privilegjuar. Nesër dhe pasnesër, unë do të paraqes edhe prova të tjera shkencore, që prokuroria i ka devijuar qëllimshëm. Kam qenë deri vonë dje duke punuar në provat e reja”, u shpreh Salianji.