Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Fatri Islamaj. Ai ka mbajtur pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Trupa e gjykimit e përbërë nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari kanë gjetur probleme me pasurinë e gjyqtarit. Në seancën e sotme, ku jepej vendimi për të, ai ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm. Megjithatë, në sallë kanë qenë të pranishëm miq të tij si ish-prokurorja Antoneta Sevdari dhe gjyqtari Erjon Bani.
Kush është Fatri Islamaj?
Gjyqtari Islamaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor nga Gjykata e Fierit. Ai është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe në vitin 2013 u emërua kryetar i kësaj Gjykate.
Në vitin 2016, presidenti Nishani e dekretoi gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës në vitin 2016. Gjatë këtij viti, Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit.
Problemet me pasurinë
Relatorja Valbona Sanxhakatari, gjatë seancës dëgjimore javën e kaluar tha se raporti i ILDKPKI-së për gjyqtarin Fatri Islamaj evidentonte deklarim të pasaktë të pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme. Gjithashtu sipas Inspektoratit, Islamaj kishte kryer deklarim të rremë, por nuk ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit.
Hetimi i KPK-së për Fatri Islamajn është fokusuar tek blerja e një apartamenti me sipërfaqe 144.5 m2 në Tiranë si dhe transaksionet me disa makina, të cilat u konsideruan me probleme.
Lidhur me Pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e gjyqtarit Islamaj për vazhdimin e detyrës. Komisioni evidentoi se gjyqtarit Islamaj i është refuzuar një vizë nga Ambasada Amerikane, por Sanxhaktari shtoi se nuk janë gjetur probleme. Islamaj shpjegoi se arsyeja e refuzimit të vizës turistike kishte qenë se ata ishin në proces bashkimi familjar, pasi vjehrri dhe vjehrra e tij jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2005.