Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, është shprehur se gjitha lëvizjet e presidentit Meta për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, tregojnë se po bën gjithçka për t’i shpëtuar shkarkimit.
I ftuar në studion e Report Tv, Koçi tha se Meta po tenton që të vendosë “ushtarët” e tij në këtë Gjykatë, për të votuar kundër shkarkimit të tij. Sipas zv.ministrit, e gjithë kjo situatë e krijuar është një tentativë e Metës për të krijuar idenë e një krize juridike.
“Tentativë për krizë juridike, për interesa personale dhe politike. Nëse Meta do të shkarkohet, kjo do t’i shkojë GJK. Meta po zgjedh që të mbrojnë interesat e tij personale që të mos shkarkohet”, tha ai.
Koçi iu përgjigj me ironi deklaratës së Tedi Blushit, i cili tha se nuk i ndalohet askujt të betohet te noteri apo edhe te parukierja.
“Mund të betohet në parukeri ose në Gjirin e Lalzit. (…) Kur presidenti të mbyll derën (referuar kandidaturës së Arta Vorpsit) është zgjedhur kjo mënyrë betimi e cila mesa duket ka një vlerë logjike. Duhet të bëhet betimi presidenti,por kur presidenti të mbyll derën, a vlen një formulë e tillë te noteri. Xhaferllari, Meta ka shkelur Kushtetutën. Mori vendim jashtë afatit dhe nuk ka zgjedhur nga lista e 3 të parëve, por ka zgjidhur të 4. Synon që gjykata Kushtetuese të mos formohet”, deklaroi Koçi.