Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, është bërë pjesë e debatit mes opozitës dhe zv.kryeministrit, Erion Braçe, për borxhet e papaguara për sigurimet shoqërore.
I ftuar në emisionin ‘360 Gradë’ në Ora News, Malaj deklaroi se vetëm për pensionet mungojnë 520 milion dollarë, ndërsa theksoi se rritja e defiçitit i kalon si barrë brezit të ri.
“Ne harxhojmë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe kompensimin e ish-pronarëve rreth 1.8 miliardë dollarë në vit, por mbledhim vetëm 910 milionë. Gropa e fondit është 810 milion dollarë. Skemat janë defiçitare, por thellimi i defiçitit është barrë e rëndë që duhet menaxhuar. Vetëm për pensionet skema është e mangut 520 milionë dollarë kur shqiptarët me taksat e tyre investojnë në ekonomi 560 milionë dollarë. Aq sa taksapaguesit financojnë ekonominë në investime aq është dhe gropa. Skemat kudo në botë janë me defiçit, por rritja e defiçitit ja kalon barrën fëmijëve”, tha Malaj.
Kujtojmë se më herët ditën e sotme, Braçe iu përgjigj akuzave të Monika Kryemadhit dhe Ylli Manjanit. Zv.ministri deklaroi se borxhi për sigurimet shoqërore ishte vetëm 3.6 milionë euro dhe se ky nuk e rrezikonte skemën e pensioneve.