Nga: Alfred Lela
Shumica në pushtet ka paraqitur, nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla, një projekt-rezolutë për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe debatin publik. Për një rastësi të verëbër (siç janë rastësitë) autori i këtyre radhëve është duke lexuar librin ‘Disinformation’ të ish-shedit të Shërbimeve sekrete rumune, Ion Mihai Pacepa, i cili në vitet ’80, ‘dezertoi’ në ShBA duke kërkuar azil politik. Ky është një tekst i mirë për të gjithë ata që duan të kuptojnë se si Bashkimi Sovjetik, dhe trashëgimtari i tij i drejtpërdrejtë Rusia, e cila ka ruajtur të njëjtën shkollë të dizinformatsyas, ndërhyjnë në skenën publike botërore me anë të informacioneve të rremë apo ‘framing’ dhe metodave të tjera, përhapur nëpërmjet qindra organizatave satelite në botë, shumë prej të cilave mjaft të zëshme edhe në kryeqytetet e mëdha të Perëndimit.
Taulant Balla ka pak gjasa ta ketë lexuar tekstin e gjeneralit rumun, edhe pse është shkolluar në Bukuresht, por jo të gjitha përkitjet janë rastësi. Nëse propozimi i socialistëve bëhet për tringëllimën kontekstuale anti-ruse, droja është se filozofia pas tij është sovjetike.
Një propozim ligjor i këtij zhanri, i hedhur në këtë kohë specifike, ka të paktën tre qëllime. I bashkohet korit të përgjithshëm që sundon në qarqet kryesisht progresiste të Perëndimit për një penetrim rus në zgjedhjet amerikane dhe ato europiane, duke ia faturuar më së shumti fitoren e Presidentit Trump mu kësaj ndërhyrjeje. Rama dhe të tijtë kërkojnë, më së pari, të kapen te konteksti i përgjithshëm duke e ditur se pa të, edhe propaganda më e hollë bie në vesh të shurdhër.
Konteksti global më pas i brendashkruhet atij lokal: duke kërkuar që edhe në Shqipëri të ketë një barrierë anti -ruse, veshët e internacionalëve, në Tiranë e gjetkë, do të dëgjojnë rikonfirmimin e besnikërisë së Tiranës edhe pas Jo-së Makron & Co (a thua se ka nevojë për devocione të tilla të tejkaluara, por edhe ngalakeqe). Qëllimi i dytë, dhe në fakt më i volitshmi, ka të bëjë me përpjekjen e socialistëve për të shpikur pseudo-ngjarje, të cilat mbulojnë dhe të bëjnë të harrohet ngecja në procesin e integrimit. Bash kur pritej që procesi të qartësohej ai është mugulluar më shumë se kurrë, pas një ngulmimi të Makronit për të ndryshuar rregullat e lojës. Ndërkohë që Rama dhe shumica kërkojnë që Makroni të fajësohet për gjithshka, qëndrimi i presidentit francez duhet parë si reaktiv, pra si reagim ndaj gjendjes ku ka hyrë Europa dhe, sigurisht standardet që sjellin në klub ata që duan t’i bashkohen.
Rama është i djegur për ngjarje të simuluara të cilat shkrumbojnë ‘ngeljen në klasë’ për të katërtën herë të qeverisë që drejton. Me të drejtë ai parashikon që reagimi i opozitës do të jetë i zhurmshëm, duke lexuar te projekti pikërisht synimet politike më shumë se të shëndoshjes së sistemit.
Kryeministri me këtë projekt-rezolutë kruan gjithashtu koren e një plage që do ta bëjë opozitën të hidhet sa shtatëqind dreqën. Rama synon të rikthejë parabolën se pjesë e rrezikut të influencës dhe financimit të huaj (lexo rus) është vetë opozita dhe shefi i saj, Basha. Si background i motiveve që shtyjnë shumicën te paraqitja e një drafti ligjor të tillë, do të shfaqet çka është konsideruar ‘lidhja ruse e Bashës’, edhe pse duket se aktorët, të paktën nominalisht, në këtë episod lobingu sillen rreth kryeqytetit amerikan dhe jo atij rus.
Rezoluta në vetvete nuk mund të kundrohet me asgjë më shumë se shpërfilljen e papërballueshme të simulimit. Shqipëria është një vend në infrastrukturën e të cilit futesh pa shumë mund; nuk duhet luftë kibernetike për të kuptuar dhe as sulmuar Shqipërinë sepse, metaforikisht, ne ende luftojmë me pushkë me gjalmë. Kështuqë ngulmimi me rrezikun rus është sivëlla i atij anglo-amerikan. Ai ekziston, por ne jemi të rrezikuarit e fundit të tij; të parët që e rrezikojnë Shqipërinë janë vetë shqiptarët, si gjithmonë. Tirana duhet të bëhet partnere e besueshme e Perëndimit, jo me anë rezolutash, por mendësish.
Nuk mund të jemi, si gjithmonë, më katolikë se Papa dhe më amerikanë se, le të themi Nancy Pelosi. Kuptimi i Shqipërisë si vend pro-amerikan dhe pro-perëndimor mund të humbasë ngadalë nëse e përdorim si maskë, ashtu si gjenerali rus Potemkin bënte me fshatrat e hartuara, ashtu si rezoluta jonë, sa për të këndellur dashnoren e tij dhe perandoreshën e Rusisë.
Punët nuk janë mirë në Shqipëri dhe drejtimi i vendit nuk bëhet me ‘punë rezolutash’.