Analisti Fatos Lubonja e cilësoi kandidatin për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti një politikan që do të “luftojë sistemin”. Ndërsa tregoi edhe disa detaje nga takimi që Kurti zhvilloi me gazetarët, ku i pranishëm ishte dhe vetë Lubonja.
I ftuar në studion e lajmeve në “News24”, Lubonja deklaroi se në tryezë u diskutua për kryeministrin Edi Rama, për rolin që ai ka në këtë sistem. Ndër të tjera, analisti tha se kreu i Vetëvendosjes ka marrë mbi supe sfida të mëdha, për të çliruar shtetin nga ky grusht pasanikësh.
“Ajo që u fol dhe për kryeministrin është se këtu nuk është çështje kryeministri. Kurti ka disa sfida të rëndësishme, u fol për sfidat që ai ka. Ky sistem që kemi ngritur, ku një grusht të pasurish sundojnë me politikën dhe kanë bërë një shtet armik me qytetarët.
Kryeministri ynë është pjesë dhe ndërtues i këtij sistemi. Kurti dëgjon, flet, ka marrë një angazhim dhe kjo sfidë është shumë komplekse dhe u fol për të, pra për të çliruar shtetin nga këta, ku hyn dhe roli i Ramës”, deklaroi Lubonja.