Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për takimin e djeshëm me kryeministrin Edi Rama.
Teksa ishte i ftuar këtë të shtunë në “ABC News”, Kurti u shpreh se në takimin që zgjati pesë orë, ata diskutuan për vijimësinë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa theksoi se e ardhmja e dy vendeve është bashkë dhe se do të bashkëpunojë me Ramën.
“Shpresojmë që do të bashkëpunojmë. Shumë prej problemeve të shqiptarëve dhe kosovarëve janë probleme të kombit tonë. Në të kaluarën kemi qenë bashkë, në të ardhmen do të jemi bashkë. Vetëm momentalisht jemi pak të ndarë. Bashkimi do të fillojë nga liberalizimi i tregut së pari”, tha Kurti.
“Kryeministri nuk e mbështet shkëmbimin e territorit, territori nuk është mall për shkëmbim. Besoj se pavarësisht me kryeministrin e Shqipërisë mund të kemi dallime e të përbashkëta na imponojnë që të bashkëpunojmë si dy qeveri më mirë. Ashtu më tha dhe ashtu dua dhe më duhet të besoj”, shtoi ai.