Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Brazil, ku një baba i ka shpenzuar të gjitha paratë e mbledhura nga njerëzit, për djalin e tij 2-vjeçar.
Sipas mediave të huaja, prindërit kishin kërkuar ndihmën e qytetarëve për të mbledhur para, pasi djalit i duheshin 90 mijë dollarë për një dozë ilaçi, që ndalonte avancimin e atrofisë së muskujve të shpinës.
Ndërgjegjësimi i njerëzve mbi këtë rast ishte aq i madh, sa shuma e kërkuar u tejkalua duke u mbledhur plot 250 mijë dollarë. Mirëpo edhe pas mbledhjes së shumës, vogëlushi i cili vuante nga një sëmundje shumë e rrallë, nuk ka mundur të mbijetojë.
Pas kësaj ngjarjeje, babai kishte braktisur familjen, duke i thënë gruas se po largohej për një lloj trajnimi.
Gruaja tha për policinë se paratë e djalit mbaheshin në katër llogari të ndryshme, dhe babai kishte akses te dy prej tyre. Ajo kishte vënë re lëvizje të këtyre parave dhe kishte lajmëruar menjëherë policinë, e cila arrestoi babanë e djalit 2-vjeçar.
Policia e gjeti atë duke bërë jetë luksi në një hotel të shtrenjtë, i veshur me rroba stilistësh, orë të shtrenjta, dhe kishte shpenzuar 150 mijë dollarë nga paratë e djalit me drogë, alkool e prostituta.