Deputeti i Grupit Parlamentar Demokrat, Korab Lita, ka treguar se si u mor vendimi për zgjedhjen e tij në krye të këtij grupi.
I ftuar në studion e News24, Lita tha se më 10 tetor Grupi i PD është mbledhur dhe një ndër pikat e rëndësishme që ka diskutuar ka qenë pikërisht reformimi i grupit. Sipas tij, anëtarët kishin konstatuar se grupi nuk po funksiononte nën drejtimin e Rudina Hajdarit.
Lita deklaroi se në këtë mbledhje kanë qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e grupit, bashkë me Rudina Hajdarin. Ai shton se në momentin kur janë propozuar 3 emrat e rinj për kryetar, Hajdari nuk ka shprehur asnjë kundërshti.
Pjesë nga intervista:
Çfarë ndodhi në mbledhjen e Grupit?
Ky është një vendim që merret në grup. Unë prej katër ditësh jam kryetar i grupit parlamentar. Vendimi merret në grup dhe i dërgohet Parlamentit. Më 10 tetor 2019, të enjten, zhvilluam një mbledhje grupi, ku mes problemeve të përhershme, jemi pasur dhe një pikë të rëndësishme, riformatimin e grupit, pasi ishte konstatuar nga anëtarët që grupi nuk po funksiononte. Është bërë një debat prej më shumë se dy orësh, kanë qenë të gjithë të pranishëm, edhe Rudina Hajdari.
Duke qenë se në një far mënyre Hajdari e kishte shpërdoruar besimin tonë, i kërkuam të tërhiqet nga kryesimi i grupit dhe këtë detyrë ta merrte dikush tjetër. Pas diskutimeve, dhe pasi Hajdari e pa që të gjithë kanë të njëjtin mendim, në mënyrë verbale u tërhoq dhe kaluam në fazën tjetër, zgjedhjen e kryetarit të ri.
U propozuan tre kandidatë. Unë propozova Valterin, Murrizi propozoi Zenelin dhe dikush tjetër më propozoi mua. Zeneli u tërhoq nga gara dhe ngelëm vetëm ne dy. Zeneli kërkoi kohë për të shpalosur propozimin, kështu që u vendos që mbledhja të shtyhej për ditën tjetër, më 11 tetor.
Më 11, Valteri sapo u hap mbledhja deklaroi që tërhiqet nga kandidimi dhe që më mbështeste mua. Në këtë mënyrë, nuk pati nevojë që votimi të bëhem me letër. Ishin shtatë deputetë, mungonin Hajdari dhe Zeneli, pasi ky i fundit ishte në udhëtim jashtë shtetit. Procesverbali u firmos nga deputetët që ishin të pranishëm.
Nëse Hajdari vendos të mos tërhiqet, çfarë ndodh?
Nuk është me qejf tërhiqet apo jo, grupi ka vendosur që kryetar jam unë. Kjo tashmë i përket të kaluarës. Hajdari, nëse dëshiron, mund të kërkojë votëbesimin tim, të fitojë, dhe unë i jap dorën. Hajdari drejton edhe katër komisione të tjera dhe ne i kemi shprehur mbështetje për gjithçka. Ajo ka mbështetjen e gjithë grupit demokrat.
Keni ende kontakte me PD?
Unë kam shumë miq në PD, i kam kushtuar 22 vite të jetës sime, gjithë brumosjen si politikan.
Ka pas ndikimi nga PD në lëvizjen brenda grupit demokrat?
Jo, me fjalën time të nderin nuk ka pasur.