Pas 12 viteve në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës kaloi në opozitë, pas votimeve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Lidhur me këtë proces, kreu i PDK-së, Kadri Veseli pranoi humbjen, ndërsa falenderoi të gjithë aktivistët e PDK-së për kontributin e tyre si dhe ka pranuar se procesi zgjedhor ka qenë i mirë.
Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se vendimi i tij për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen duke dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit, sipas tij, u vërtetua që ishte i drejtë.
Për Haradinajn, gara e drejtë dhe e qetë, e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike.
“Uroj që me të njëjtin nivel maturie, të mbyllet edhe ky cikël elektoral, duke i hapë rrugë pa vonesa, konstituimit të Kuvendit, dhe institucioneve të reja demokratike në vend.
Kosova sot nuk dallon nga vendet me demokraci të avancuar, duke dëshmuar se jemi po aq europian sa secili vend tjetër në Europë, dhe kërkesat tona për integrim dhe respektim të shtetit e sovranitetit tonë, janë të drejta të pamohueshme, ashtu siç është e paprekshme, Kosova e 17 shkurtit”, tha mes të tjerash Haradinaj.
Nga votat e numëruara, rezulton që edhe koalicioni Nisma dhe AKR nuk do të mund të hyjë në Kuvend.
Deri më tani, po prin Lëvizja Vetëvendosje me 25.79%, ndërsa ndiqet nga LDK.