Avokati Spartak Ngjela thotë se Presidenti Meta nuk ka më shpresë. Sipas tij, “fatin” e Metës e vendos Gjykata Kushtetuese.
“Komisioni, Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese do të thonë të vetën. Shkelja është e rëndë, Presidenti nuk ka më shpresë. Shpresa e fundit e tij ishte Venecia. Ata e thanë: ‘në rast se do të eliminoheshin zgjedhjet se nuk hyri njeri, atëherë nuk do të kishte kurrë zgjedhje’. Data 30 qershor ishte domosdoshmëri dhe largimi nga zgjedhjet i njërës palë nuk anulon zgjedhjet”, tha ai.
Zoti Ngjela shtoi se nëse Presidenti do të ndiqet penalisht “është shenjë e mirë për historinë e Shqipërisë, pasi kjo tregon që po fillon të funksionojë pushteti gjyqësor”.
“Është ende me paterica, por Gjykata e re Kushtetuese që del ka aktin e parë të saj atë me Presidentin. Aty do të shikojmë se si po ecën Shqipëria. Pas shkarkimit, Meta do të presë Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vjen, atëherë qëndron në detyrë si President”, deklaroi avokati në studion e “Ditari” në “A2”.