Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar pas incidentit të ndodhur në shkollën ‘Shejnaze Juka’ në Shkodër, teksa u shpreh se ngjarje të tilla nuk e shqetësojnë.
Në një deklaratë për mediat, Hajdari u shpreh se do të vizitojë shkolla të tjera në Shkodër, teksa vuri theksin në tek shkolla “Azem Hajdari”, e cila për shkak të infrastrukturës së dobët, rrezikon të mbyllet.
“Kemi ardhur tek shkolla “Shejnaze Juka” për të festuar ditën e hapjes së kësaj shkolle. Patëm një festë shumë të bukur, takuam nxënësit dhe mësuesit. Sigurisht që incidentet ndodhin. Kjo gjë nuk na shqetëson fare, përkundrazi, ne i përballim shumë mirë, dhe u kënaqëm shumë me nxënësit.
Ajo që unë dua të vë në dukje, është infrastruktura e shkollës, shumë e dobët. Infrastruktura është problematik kryesore në rrethe. Unë do të vazhdoj të vizitoj shkolla të tjera në Shkodër. Do të shkoj edhe në shkollën Azem Hajdari. Unë dua të vë theksin tek shkolla “Azem Hajdari”, e cila ka infrastrukturë të dobët, ka rrezik të mbyllet. Unë s’do ta lejojë këtë gjë. Ne nuk duhet ti braktisim shkollat. Nuk ka vëmendje për shkollat”, tha ajo.
Ndërkohë, Hajdari u pyet edhe nëse ajo është dakord me idenë e kryeministrit për ndarjen në dy pjesë të reformës zgjedhore, pyetje së cilës ju përgjigj:
“Nuk jam këtu për të folur për këtë temë, do ketë kohë edhe herë të tjera për të folur”.
Deputetja komentoi shkurt edhe fjalimin e djeshëm të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke thënë se i pëlqeu.
“E ndoqa shumë pak, por ishte fjalim i bukur”, deklaroi Hajdari.